Muaji maj ka shënuar rënie drastike të numrit të qytetarëve të prekur me Covid-19, ndërsa është rritur në mënyrë të konsiderueshme numri i të shëruarve nga koronavirusi në Kosovë.
Listës së të shëruarve u janë shtuar edhe katër zyrtarë policorë të cilët kanë qenë të prekur me Covid-19, ndërsa edhe shtatë të tjerë vazhdojnë të jenë ende pozitivë.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, Bajram Krasniqi, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, i cili tha se zyrtarët policor që kanë dal negativë aktualisht janë duke qëndruar për disa ditë në vetëizolim.
“Numri i policëve të prekur me COVID është 11 në tërë Republikën e Kosovës. Prej tyre 4 janë shëruar dhe 7 të tjerë vazhdojnë të jenë pozitiv, mirëpo janë në gjendje të mirë shëndetësore. Vazhdojnë edhe një vetëizolim të shkurtër, pastaj ne e kemi një Drejtori të Shërbimeve Shëndetësore në kuadër të Policisë ata tërë kohës përpos mjekëve të IKSHP-së i kanë trajtuar edhe këta dhe besoj që varësisht nga dita e bërjes së testit që kanë dal negativ ata do kthehen edhe në vendet e tyre të punës”, tha Krasniqi.
Deri tani në Kosovë kanë rezultuar pozitiv 870 persona, prej tyre 653 pacientë janë shëruar ndërsa 28 kanë humbur.