Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka marr vendim që nga 1 janari 2025 shtetasit e Bosnjë dhe Hercegovinës do të mund të udhëtojnë me letërnjoftim biometrik drejt Republikës së Kosovës.
Kurti këtë e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook.
“Qeveria mbrëmë mori vendimin tashmë të paralajmëruar me të cilin shtetasit e Bosnje dhe Hercegovinës nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të mund të udhëtojnë me letërnjoftim biometrik drejt Republikës sonë.
Në nëntor janë bërë dy vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor në Berlin, si pjesë e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit. Vendi ynë ishte i pari që e kishte ratifikuar këtë marrëveshje në parlament.
Bllokada nga entiteti i Republikës Srpska i ka privuar për shumë gjatë qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës të drejtën e lëvizjes së lirë me letërnjoftime, në kohën kur i gjithë rajoni udhëton lirshëm drejt Bashkimit Evropian. Teksa ne po i japim fund pritjes së qytetarëve nga Bosnje dhe Hercegovina, mbetemi me shpresë se Bosnje dhe Hercegovina do të jetë në gjendje ta ratifikojë marrëveshjen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që i gjithë rajoni të gëzojë lirinë e lëvizjes. Ne kemi besim se ky vendim do të rrisë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës, do të shtojë mundësitë për bashkëpunim dhe do të nxisë shkëmbimet në arsim, kulturë, sport, ekonomi dhe fusha të tjera me interes të përbashkët. Mirësevini në Kosovë!”, shkruan Kurti.