Nezir Kraki i bashkohet partisë Guxo për zgjedhjet e 9 shkurtit

Partia Guxo ka njoftuar me krenari se pjesë e listës së saj (të përbashkët me Vetëvendosjen) për zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë Nezir Kraki, profesori i njohur parizien nga Juniku, “një intelektual dhe guximtar i pavarur i cili ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe politik prej shume vitesh tashmë”.

Nezir Kraki është profesor i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Paris, njohës i shkëlqyer i politikës së jashtme dhe zhvillimeve në Ballkan, me një vizion të qartë për integrimin evropian të Kosovës. Përmes analizave të tij të mprehta, shkrimeve dhe paraqitjeve frymëzuese në mediat e mjediset akademike ndërkombëtare, ai është kthyer në një zë të fuqishëm të promovimit dhe ngritjes së imazhit pozitiv të shqiptarëve në botë, thuhet në njoftimin e Guxo.

“Me Profesor Krakin në listën tonë fituese Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, dhe profesionistë të tjerë të guximshëm, luftëtarë të pakompromis të së vërtetës, angazhimi ynë në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj do jetë i gjithanshëm dhe dinamik edhe në mandatin e dytë”.

“Së bashku do ta vazhdojmë rrugëtimin tonë me faqe të bardhë dhe duar të pastra për një të ardhme prosperuese për Kosovën sepse e ardhmja u takon atyre që guxojnë”.