Neymar nuk hyn në planet e presidentit të ardhshëm të Barcelonës. Pas dorëheqjes së Josep Maria Bartomeu-t me shumë gjasa presidenti i 41-të në historinë e klubit të famshëm katalanas do të jetë Victor Font dhe në fakt 48-vjeçari nga Granollers prej kohësh ka filluar të mendojë pikërisht për të ardhmen e Barçës. Pak ditë më parë Sport hamendësoi se sulmuesi brazilian mund të influenconte fushatën e zgjedhjeve për presidentin e ardhshëm të klubit “blaugrana”.
Për hir të së vërtetës lajmet në këtë drejtim janë shumë kontradiktore, sepse javën e kaluar mediat franceze shkruan për dëshirën e madhe të 28-vjeçarit paulist për të rinovuar me Paris SG. Sipas “France Football” Neymar ka deklaruar se ndihet vërtet shumë mirë në kryeqytetin francez, madje ai ka shtuar se do të pranonte me kënaqësi të ndihmonte klubin e mirënjohur transalpin, duke mbuluar njëkohësisht edhe rolin e zbuluesit të talenteve për futbollistët premtues brazilianë në atdhe.
E pra, pavarësisht asaj çfarë raportojnë mediat e ndryshme franceze, Sport tregon të kundërtën dhe ka një version krejtësisht të ndryshëm të fakteve, teksa thekson se Neymar është duke projektuar të ardhmen e tij larg Parisit. Klubi parizien pagoi klauzolën e tij të largimit te Barcelona në ditët e para të gushtit të 2017 dhe për rrjedhojë Neymar u bë autori i transferimit më të shtrenjtë në historinë e futbollit, me vlerë prej plot 222 milionë eurosh, sidoqoftë vitet kalojnë dhe në fundin e këtij edicioni futbollisti brazilian do të jetë vetëm një sezon larg përfundimit të kontratës.
Sport ka lënë të kuptohet se drejtuesit e Paris SG janë gati për të ulur kërkesat e tyre për sulmuesin, duke shtuar se Neymar mund të shndërrohet në një element thelbësor gjatë fushatës për zgjedhjet e presidentit të ardhshëm të klubit blaugrana. Zgjedhjet do të mbahen më datën 24 janar dhe Victor Font është njëri ndër kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e klubit të famshëm katalanas. 48-vjeçari ka deklaruar se Neymar nuk bën pjesë në planet e tij dhe Victor Font ka shpjeguar se nuk ka aspak ndër mend për të përdorur emrin e ish-sulmuesit të Barcës gjatë fushatës së tij për të marrë postin e presidentit të ardhshëm të klubit.
Ai shtoi se institucionalisht sulmuesi paulist nuk hyn fare në planet e tij, jo vetëm në aspektin financiar por gjithashtu edhe për arsye të tjera që dihen, ku spikat largimi i tij nga Barcelona në vitin 2017, e lënia skuadrës në një pozitë vërtet shumë të vështirë, pikërisht vetëm pa kohë përpara se të startonte sezoni i ri. Victor Font qartësoi se Neymar mund të përputhet me dëshirat sportive por kurrsesi me politikat financiare dhe institucionale të Barcelonës. Në fund kandidati kryesor për t’u zgjedhur presidenti i 41-të në historinë e klubit e mbylli fjalën duke theksuar se gjithsesi ky është një vendim që para së gjithash I takon drejtorit sportiv dhe sipas tij deri tani nuk ka patur asgjë konkrete në lidhje me një çështje të tillë.
Victor Font gëzon një respekt të veçantë në ambientin katalanas, për më tepër 48-vjeçari ka qenë një ndër kundërshtarët më të ashpër të presidentit të fundit, që dha dorëheqjen vetëm tre javë më parë. Në një intervistë radiofonike, për programin sportiv “El Larguero” Victor Font deklaroi se është koha për të reaguar dhe kthyer shpejt faqe, pasi sipas tij Josep Maria Bartomeu është presidenti më i keq në gjithë historinë e Barçës. 48-vjecari që ishte pikërisht nismëtari i fushatës për votëbesimin e Bartomeut pëlqehet për mënyrën e tij të drejtpërdrejtë dhe në fakt kandidati kryesor për postin e presidentit të ardhshëm të klubit blaugrana ka shpjeguar gjithashtu se bindja e kapitenit Lionel Messi për të qëndruar sërish në radhët e skuadrës katalanase është diçka thelbësore dhe me rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e klubit të Barcelonës.