M
inistria e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk do të ketë orë shtesë policore në Kosovë me rastin e festës së Bajramit të Madh. Sipas MSH’së, masat aktuale të fazës së dytë do të vazhdojnë të mbesin në fuqi.
Faza e dytë e lehtësimit të masave për qytetarët e Kosovës që ka hyrë në fuqi më 18 maj do të vazhdojë edhe nesër kur besimtarët myslimanë festojnë festën e Bajramit të Madh dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë nuk do të ketë orë shtesë policore.
“Festa e Bajramit të Madh është ditë festive dhe aludimi në masa të tjera përveç atyre që janë në fuqi dhe që vlejnë për të gjithë nuk është i drejtë. Ministria e Shëndetësisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës gjatë gjithë Muajit të shenjtë të Ramazanit kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme duke bashkëpunuar me qëllim që ky muaj të kalojë në shenjë të përkushtimit për ruajtjen e shëndetit të njëri-tjetrit dhe në zbatim të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike lidhur me pandeminë Covid-19. Besimtarët e kanë dëshmuar përkushtimin e tyre gjatë gjithë muajit për t’i zbatuar me korrektësinë më të lartë këto rekomandime dhe MSh beson se një mënyrë e këtillë e manifestimet të besimit do të tregohet edhe gjatë festës së Bajramit të Madh, për të cilën besimtarët janë udhëzuar, gjithashtu, edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës që të manifestojnë respekt dhe kujdes duke shmangur situata që ekspozojnë qytetarin para një rreziku siç është Covid-19”, thuhet në një përgjigje të MSH’së për T7.
Ndërkaq, Bashkësia Islame e Kosovës, ka marrë vendim që të mos ketë organizim të faljes së namazit të Fitër-Bajramit në xhamitë e vendit e as në hapësira të tjera publike.