Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook thotë se si rezultat i Marrëveshjes së Washingtonit, nesër, 1 shkurt, nënshkruhet marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Izraelit, shkruan Gazeta Stop.
“Zyrtarizmi i marrëdhënieve shtetërore vjen pas bisedës telefonike që zhvillova me 4 shtator 2020 me kryeministrin Benjamin Netanyahu, nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë në Washington. Kosova si Republikë Parlamentare, si shtet sekular, mirëpret njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Izraelit dhe angazhohet për zgjerimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes të ndërsjellë”, shkroi Hoti.
Njohja nga Izraeli është vlerësuar lart dhe është bërë e mundur falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht zotimeve të firmosura në Washington më 4 shtator.
Sipas zotimit të firmosur nga kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ambasada e Kosovës do të hapet në Jeruzalem.