Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen kundër coronavirusit, në mënyrë që të shmanget mbyllja e vendit.
Vishaj në një deklaratë për Telegrafin tha se gjendja për momentin në Klinikën Infektive është stabile, por që pritet të ketë një valë të re të infektimeve.
“Në Klinikën Infektive kemi 11 pacientë, dy prej tyre janë në intensiv. Gjendja është stabile, nuk kemi rritje të të hospitalizuarve, por që ka mundësi të vjen valë e re e infektimeve, duke parë edhe rastet në Evropë. Vaksinimi është zgjidhja e vetme. Nëse nuk bëhet vaksinimi masiv, mbyllja është e pashmangshme në mënyrë që të ruajmë shëndetin publik”, deklaroi ai.
Ndryshe, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 343.333 doza të vaksinës. deri më sot 102.210 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Thirrje për vaksinim janë duke bërë në vazhdimësi institucionet shëndetësore. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen kundër coronavirusit.
IKSHPK përmes një komunikate për media ka thënë se nuk duhet lejuar mbyllja e të gjithëve nga pakujdesia e disave.
“Vaksinohuni, kudo që vëreni persona që nuk janë vaksinuar, këshilloni që të vaksinohen për të ruajtur shëndetin e tyre, dhe të afërmeve të tyre. Ju lutemi për kujdes të shtuar, virusi është kudo, virusi vret. Mos vaksinimi përkeqëson situatën epidemiologjike, rritë rastet e sëmundjes, rritë rastet e vdekjes, mos mbingarkoni institucionet shëndetësore”, vijon komunikata.
Terminin për ta marrë vaksinën mund ta bëni KËTU.