Drejtori i kompanisë “D&D Business Support Center”, Safet Fazliu, ka pritur të martën në takim ish-presidenten e Republikës së Kosovës, njëherit themeluese e “Fondacionit Jahjaga”, Atifete Jahjaga e shoqëruar nga drejtoresha e këtij fondacioni, Brikena Avdyli.
Gjatë këtij takimit, drejtori i kompanisë “D&D Business Support Center”, Safet Fazliu, e vlerësoi lartë kontributin e ish-presidentes Atifete Jahjaga në përkrahjen dhe avancimin e pozitës së grave në Kosovë.

“Po ashtu në këtë takim, të dy palët u pajtuan për bashkëpunimin në fushat dhe projekte që mbështesin gratë në Republikën e Kosovës, në veçanti gratë në ndërmarrësi përmes trajnimeve dhe formave të ndryshme të përkrahjes. Ky zotim i bashkëpunimit të ndërsjellë u formalizua edhe me anë të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, marrëveshje kjo që synon lehtësimin e qasjes në punësim, vetëpunësim dhe ndërmarrësi për gratë përmes projekteve të përbashkëta”, është thënë në komunikatën për medie të “D&D Business Support Center”.

Ndërkaq, me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, drejtori i “D&D Business Support Center”, Safet Fazliu, ka deklaruar se me anë të nënshkrimit të kësaj marrëveshje, synojmë promovimin dhe ngritjen e mirëqenies së grave në Kosovë.
Ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka thënë se “Fondacioni Jahjaga”, kryesisht në fokus ka përkrahjen e grave në Kosovë dhe e ka përgëzuar Fazliun për kontributin që është duke dhënë në këtë drejtim.
