Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Shaqir Totaj, tha se PDK-ja është e hapur për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje.
Totaj në Euronews Albania tha se përveç interesit të përgjithshëm rëndësi shumë të madhe ka dhe interesi i vetë PDK-së.
“Para se në të bashkëpunojmë më Lëvizjen Vetëvendosje ata duhet të reflektojnë, duhet të largohen nga një qasje që ata tanimë e kanë bërë tradicionale e cila bazohet kryesisht vetëm në akuza dhe jo në diçka konstruktive apo pozitive për të ardhmen e vendit”.
Ai shtoi se reagimi i Vetëvendosjes pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për moscertifikim të kandidatëve ishte një veprim që pritej pasi sipas tij kjo parti nuk i zbaton ligjet.
“Aty ku ju leverdis i respektojnë ligjet (LVV) dhe institucionet janë në rregull, aty ku nuk ju leverdis atëherë këmbngulin në një vendim që do iu leverdiste atyre, prandaj është një qasje që po e dëmton skenën politike kosovare”.
Numri dy i PDK-së foli edhe për marrëdhëniet që ky subjekt ka me NISMËN Socialdemokrate.
Totaj tha se fakti që Partia Demokratike nuk është e gatshme për koalicione nuk do të thotë që ka probleme.
Akuzat e Vetëvendosjes se PDK-ja është përgjegjëse për ngjarjet aktuale në Kosovë, si dhe largimin e të rinjve apo korrupsionin, Totaj i cilësoi si të pabaza.
Sipas tij këto fenomene janë të zakonshme për shoqëritë e reja, aq më tepër Kosova e cila nuk ka shumë vite që dalë nga lufta, por kurrsesi nuk janë përgjegjësi që mund t’i ngarkohen vetëm një partie.