Nëna e 8-vjeçarit të ndjerë, që u vra nga fqinji i tij këmbëngul se dënimi me varje është ndëshkimi që meriton vrasësi Klodian Çalamani.
Në një lidhje telefonike për “Shqipëria Live”, Flora Vasiu thotë se dënimi maksimal për 38-vjeçarin do të ishte mësim për kriminelë të tjerë, që guxojnë të bëjnë të tilla akte makabre.
“Kërkoj ndihmën e qytetarëve të mbledhim firma. Kudo ku ndodhen, brenda apo jashtë burgut. Të ngrenë zërin. Kërkoj varjen e tij që më morri engjëllin, ma morri nga gjiri. Të dënohet me varje, jo dënim me vdekje se nuk është asgjë për të”.
Besimin te drejtësia e ka humbur, pasi thotë se “po të ishte për drejtësinë, ai nuk do të kishte dalë fare”. “Të burgosurit që e kanë në burg Klodian Çalamanin ta vrasin, ta masakrojnë. Ose të ma sjellë shteti ta vras unë me dorën time”, thotë ajo.
Çalamani ka qenë i arrestuar për pengmarrjen e një vajze në vitin 2012, por nuk dihet sesi ka mundur të përfitojë nga drejtësia.
Familjarët e vogëlushit kanë nisur që dje nënshkrimin e një peticioni përmes të cilit, synojnë dënimin me vdekje të 38-vjeçarit. Peticioni është firmosur dhe nga qytetarë të shumtë, të cilët të tronditur nga ngjarja e rëndë, kërkuan varjen e tij në mes të qytetit të Fierit.
Si ndodhi ngjarja?
Mateo Vasiu ashtu si çdo ditë duhej të ishte nisur për në shkollë. 8-vjeçari ndiqte klasën e dytë. Ai nuk kishte shkuar atë ditë, ndërsa ishte parë në lagje teksa shëtiste me biçikletë. Ka qenë nëna e djalit që dha alarmin në lagje se i mituri nuk kishte shkuar në shkollë dhe as në shtëpi.
Pasi kontrolluan në lagje, ajo bashkë me bashkëshortin bënë denoncimin në polici.
Pas vëzhgimit të disa kamerave të sigurisë në lagje, u vu re se 8-vjeçari kishte hyrë në banesën e Çalamënit, me biçikletën e këtij të fundit. Më pas, policia zbarkoi në banesën e 38-vjeçarit. Ky i fundit, pasi u mor në pyetje në Polici, pranoi edhe autorësinë e krimit makabër.