Në veri të vendit sulmohet me armë zjarri një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës njofton se sot nga person/a të dyshuar është shtënë me armë zjarri në drejtim të
patrullës policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare lokacionin Banjskë – Izvor të komunës së
Zveqanit.


Fatmirësisht nuk raportohet për zyrtar policor të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara
në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga
ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.
Lidhur me rastin janë ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore, përfshirë edhe
ekzaminimin e vendit të ngjarjes, nga ku është konstatuar se vetura është goditur me një predhë
të armës së zjarrit.


Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një
veturë të dyshuar të braktisur (xhip-opel), në një rrugë malore në distance prej rreth 250 metra
largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të
dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të
panjohur.


Automjeti i dyshuar i cili ka poseduar targa të dyshuara, të cilat dyshohet se nuk i përkasin të
njëjtit automjet, është konfiskuar nga Policia e Kosovës për të vazhduar me procedurat e
mëtejme hetimore dhe të ekzaminimit.
Në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti, vrasje në tentativë
dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në
interes të sigurisë dhe rendit kushtetues të RKS-së.