Pas tri ndeshjeve emocionale të Kampionatit Evropian në Kopenhagë, Danimarka do të luajë në një qytet tjetër, që Christian Erikseni dikur e quante në shtëpi. Danezët do të ndeshen me Uellsin në 1/8 e finales, në “Johan Cruyff Arena” në Amsterdam, të shtunën nga ora 18:00. Është një stadium ku Erikseni kujtohet me dashuri nga tifozët e Ajaxit, si një lojtar elegant i mesfushës, para transferimit të tij te Tottenhami.
Danimarka humbi ndeshjen e parë “Euro 2020” nga Finlanda (1:0), pasi Eriksen pësoi arrest kardiak në fushë dhe u desh të ringjallej me një defibrilator. Danezët gjithashtu humbën edhe ndaj Belgjikës para se të triumfonin ndaj Rusisë (4:1) në ndeshjen e fundit të grupit. E pikërisht kjo fitore i mundësoi Danimarkës që të përfundojë e dyta në grupin B dhe të kualifikohet në fazën e nokautit.
“Unë jam duke menduar shumë për Christianin dhe kam shpresuar shumë që ai do të mund ta përjetonte këtë”, tha përzgjedhësi i Danimarkës, Kasper Hjulmand. “Ai e ka pritur këtë verë kaq shumë, kjo është një ëndërr e madhe, e madhe për Christianin, dhe fakti që ai nuk është këtu më dhemb shumë”.
Ndërsa Danimarka po udhëton për herë të parë në turneun që po luhet në 11 qytete në të gjithë Evropën, Përfaqësuesja e Uellsit ka pasur një orar më të ashpër të udhëtimit. Ekipi u vendos në Baku, ku i luajti dy ndeshjet e para, para se të përballej me Italinë në Romë.
“Nuk ka qenë e lehtë, sepse na është dashur të shkojmë në Baku dhe më pas të udhëtojmë në Itali. Tani do të duhet të shkojmë në Amsterdam”, tha trajneri i Uellsit, Rob Page. “Në letër tingëllon si një ide e shkëlqyeshme për ta pasur turneun në të gjithë Evropën, por logjikisht është një makth absolut dhe kësaj duhet shtuar edhe virusin gjithashtu”.
Fitorja e Uellsit ndaj Turqisë dhe një barazim me Zvicrën, ishin të mjaftueshme për vendin e dytë pas Italisë në Grupin A. Uellsi e humbi 1:0 ndeshjen e fundit kundër Italisë, njëri prej ekipeve më të mira të turneut.
Uellsi shpreson se mund ta përsëritë suksesin që e pati në “Euro 2016”, ku arriti deri në gjysmëfinale për t’u eliminuar nga Portugalia (2:0), e cila doli kampione. Gareth Bale, një nga yjet e atij Evropiani, është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave tek Uellsi me 33 gola të realizuar, por ai nuk ka shënuar gol në 14 ndeshjet e fundit, dhe ka humbur një penallti kundër Turqisë në Baku.
Aaron Ramsey, një tjetër nga veteranët e turneut në Francë, shpreson që uellsianët të kenë paraqitje edhe më të mirë se para pesë vjetësh.
“Ne jemi një kërcënim për kundërshtarët. Pse të mos shkojmë përsëri të paktën deri në gjysmëfinale?”, insistoi Ramsey.
Uellsi do të jetë pa mesfushorin Ethan Ampadu, i cili është pezulluar pasi u përjashtua në ndeshjen kundër Italisë për shkak të faullit ndaj Federico Bernardeschit.
Hjulmand tha se kapiteni i Danimarkës Simon Kjaer “mori një goditje në lojë, por ai mund ta përfundojë atë dhe ne presim që ai të jetë gati të përballet me Uellsin”.
Trajneri i Danimarkës tha se ishte e vështirë të përgatitesh kundër një ekipi si Uellsi, i cili është shumë i paparashikueshëm.
“Ata ndryshojnë strategjinë dhe pozicionet e tyre, kështu që do të jetë e vështirë të dihet se çfarë të presësh nga kjo skuadër”, pranoi ai.
Lojtarët e të dy ekipeve duhet të kenë një ide të mirë se çfarë të presin nga njëri-tjetri; Kasper Schmeichel dhe Danny Ward luajnë për Leicesterin, ndërsa Ben Davies dhe Joe Rodon janë shokë të ekipit të Tottenhamit me mesfushorin e Danimarkës, Pierre-Emile Hojbjerg. Bale gjithashtu luajti si huazim për klubin londinez sezonin e kaluar. Fituesi i kësaj ndeshjeje do të kualifikohet në çerekfinale të Evropianit dhe do të duhet të udhëtojë drejt Bakus, ku do ta presë fituesin e ndeshjes mes Holandës dhe Çekisë.