Dominique Ludwig, eksperte e ushqimit, ka krijuar një vakt të balancuar dhe të shijshëm në tri pjata, të cilat janë të pasura me lëndë ushqyese që përmirësojnë shëndetin e zorrëve, zemrës dhe trurit.
The Telegraph ka shkruar se ky vakt përmban përbërës të shëndetshëm bazuar në kërkime shkencore të fundit dhe në të përfshihen djathi e çokollata.
Pjata e Parë: Djathi i llojit “labneh” me domate të pjekura dhe brokoli
Kalori: 313 | Proteina: 24g | Fibra: 5g
Djathi “labneh” është i mirë për shëndetin e zorrëve
Labneh është djathë i fermentuar nga Lindja e Mesme dhe është i pasur me baktere të dobishme, si lactobacillus dhe bifidobacterium, të cilat ndihmojnë tretjen, mbështesin imunitetin dhe ruajnë mikrobiomën e shëndetshme të zorrëve.
“Përmban 14g proteina për çdo servirje, gjë që na mban të ngopur për më gjatë dhe ndihmon në mbajtjen e niveleve të qëndrueshme të sheqerit në gjak”, ka shpjeguar Ludwig.
Domatet janë të mira për shëndetin e zemrës
Domatet janë të pasura me likopen, një antioksidant që ndihmon për të ulur rrezikun e problemeve me zemrën si arteroskleroza dhe presioni i lartë i gjakut.
“Kur domatet kombinohen me vaj ulliri ekstra të virgjër, vaji ndihmon në përthithjen e likopenit dhe e bën atë më të përdorshëm nga trupi”, ka treguar Ludwig.
Brokoli është i pasur me magnez
Brokoli është i mbushur me magnez, që është i rëndësishëm për më shumë se 300 reaksione enzimatike në trup dhe ndihmon në qetësimin e sistemit nervor.
“Gjithashtu, perimet si brokoli përmbajnë glukosinolate, që ndihmojnë për pastrimin e mëlçisë”, ka shtuar ekspertja.
Pjata kryesore: Sallatë me peshk skumbri dhe agrume
Kalori: 630 | Proteina: 29g | Fibrat: 16g
Peshku skumbri është e mirë për shëndetin e zemrës
Skumbri është një nga peshqit më të shëndetshëm, pasi është i pasur me acide yndyrore omega-3 (EPA dhe DHA), të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e zemrës dhe trurit.
“Skumbri është peshku perfekt për një vakt kryesor të shëndetshëm”, thotë Ludwig.
Qiqrat janë të mira për stabilizimin e sheqerit në gjak
Qiqrat janë të pasura me proteina, karbohidrate dhe fibra, që ndihmojnë në stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak dhe mbajnë për më gjatë ndjenjën e ngopjes.
“Qiqrat janë të shkëlqyera për të stabilizuar sheqerin në gjak dhe për të ngadalësuar mënyrën se si glukoza hyn në qarkullim”, ka shtuar dietologia.
Imuniteti dhe shëndetin e eshtrave
Për të mbështetur sistemin imunitar, Ludwig ka sugjeruar që peshku skumbri të shërbehet me portokaj, bizele dhe qepë të kuqe, të cilat janë të pasura me vitaminë C. Skumbri gjithashtu ofron vitaminë D, e cila është e rëndësishme për rregullimin e sistemit të imunitetit.
“Në këtë sallatë është edhe rrepa, që është burim i fuqishëm i folateve (vitamina B9), e cila është e nevojshme për shëndetin e zemrës, trurit dhe mëlçisë”, thotë Ludwig.
Pjata e Dytë: Mousse me çokollatë dhe tofu me boronica
Kalori: 250 | Proteina: 7g | Fibrat: 5g
Tofu dhe tahini janë të pasura me kalcium
Mousse e krijuar me djathë tofu dhe tahini (i cili është gjalpë i krijuar nga fara e susamit), të cilat janë të pasura me kalcium që ndihmon në forcimin e eshtrave dhe magnez që mbështet funksionin e muskujve. “Tofu dhe tahini janë gjithashtu burime të mira të proteinave”, tregon Ludwig.
Çokollata si ushqim i shëndetshëm
Sipas Ludwig, çokollata është ushqim i shëndetshëm.
“Çokollata e errët përmban rreth 10g fibra për 100g, të cilat janë fantastike për mikrobiomën e zorrëve”, ka thënë dietologia. Ajo shton se kakao përmban gjithashtu magnez, hekur dhe zink, të cilat mbështesin nivelet e shëndetshme të energjisë, funksionimin e muskujve dhe sistemin nervor. “Hulumtimet kanë lidhur ngrënien e çokollatës me shëndet më të mirë të zemrës, përfshirë uljen e presionit të gjakut”, ka thënë tutje Ludwig.
Boronicat
Boronicat janë të pasura me antioksidantë, që sipas Ludwigut, ndihmojnë për të mbështetur shëndetin e zorrëve dhe nivelizimin e baktereve që ndodhen në zorrë.
“Këto receta veprojnë në harmoni me njëra-tjetrën, duke ju dhënë vlera të shumta ushqyese për shujtë. Mund të ndjeheni me më shumë energji dhe më të ngopur në mes shujtash, ku inkorporoni përbërësit e këtyre recetave në gatimet e përditshme”, ka thënë ndër të tjera Loudig.