Në Prishtina Mall do t’i gjeni mbi 230 marka prestigjioze

Me një hapësirë gjigante prej 240.000 metra katrorësh, Prishtina Mall është më shumë se një vend për blerje.

Me hapësira të ndryshme të brendshme dhe të jashtme, Prishtina Mall është vendi perfekt për t’u relaksuar.

Qendra tregtare më e madhe në Evropën Juglindore, Prishtina Mall, do të hapet zyrtarisht nesër dhe do të jetë vendtakimi i të gjithëve, ku synim e ka socializmin e relaksimin në një ambient krejtësisht unik. Me lehtësira, komoditete dhe shërbime lehtë të qasshme, Prishtina Mall do të sigurojë që të gjithë vizitorët të shijojnë këtë hapësirë unike.

Image

Ajo çka e bën më të veçantë Prishtina Mall-in është edhe vendi strategjik ku është ndërtuar, është në vendkalimin e të gjitha autostradave që lidhin Kosovën me rajonin dhe në këtë mënyrë kjo qendër tregtare do të jetë shumë e qasshme për të gjithë.

Image

Në Prishtina Mall do t’i gjeni mbi 230 marka prestigjioze, duke përfshirë markat ekskluzive dhe dyqanet më moderne. Por përveç kësaj, në Prishtina Mall do të gjeni një gamë të gjerë specialitetesh gastronomike, nga ushqimi i shpejtë e deri te restorantet me kuzhinën tradicionale dhe atë ndërkombëtare, duke mos harruar edhe kafenetë dhe baret.https://zeri.info/inarticle.html

Image

Prishtina Mall i ka kushtuar shumë rëndësi edhe pjesës argëtuese. HyperActive është qendra argëtuese më e madhe në rajon, me një hapësirë prej 11 mijë e 202 metra katrorësh.

Image

Risia që do të jetë në Prishtina Mall është edhe kinemaja më e madhe dhe më prestigjioze në Evropën Juglindore, “CineStar”, me 15 salla kinemaje, duke përfshirë një dhomë 4DX, 2 dhoma Class Gold me teknologjinë më të fundit.

E për të arritur deri këtu janë dashur vite e vite punë.

Kryetari i Bordit, Fatmir Zymberi, në konferencën për media, e mbajtur gjatë ditës së sotme, ka thënë se si ide e ka pasur qysh në vitin 2010, mirëpo ndërtimi i Prishtina Mall-it ka filluar më 5 mars të vitit 2020 dhe për 32 muaj është bërë një punë kolosale.

Fatmir Zymberi

“Duke bërë analiza edhe në rajon se çka mungon, kemi parë që mungon një qendër e tillë tregtare. Jemi munduar që qendra tregtare të mos jetë vetëm vend ku mund të shkoni të bëni blerjet, por edhe të argëtoheni e të relaksoheni me miqtë dhe familjarët. E dimë që një kohë shumë të gjatë ka qenë në mangësi të mëdha prania e kompanive të mëdha, por ne kemi rënë dakord dhe ato i kemi sjellë këtu. Dhe së bashku me kompaninë projektuese, u bëmë bashkë dhe e konkretizuam… Ndërtimi i Prishtina Mall-it ka filluar më 5 mars 2020 dhe ka qenë sfidë shumë e madhe, por ideja është që njeriu krijon dhe i bën gjërat e pamundshme të mundshme”, u shpreh Zymberi.

Image

Ai ka thënë se është hera e parë që në idenë dhe projektimin e Prishtina Mall-it fillimisht kanë qenë vetëm pesë investitorë dhe deri në këtë moment që po flasim janë 15 punëtorë dhe për këtë Zymberi u shpreh shumë i lumtur.

Përveç kësaj, Prishtina Mall ka bërë që edhe numri i të papunëve të ulet në vendin tonë, pasi në këtë qendër tregtare do të jenë standard rreth tre mijë punëtorë.

Zymberi ka thënë se për këto tre vjet, mbi 10 mijë punëtorë janë angazhuar dhe çdo gjë që është ndërtuar është bërë nga kompanitë kosovare.

“Ne në Prishtina Mall nuk kemi pasur vështirësi të tilla. Brenda këtyre tre vjetëve kanë qenë mbi 10 mijë punëtorë. Çdo gjë që është kryer këtu është kryer nga kompanitë e Kosovës. Sfida më e madhe që ne kemi pas me projektues, është se kanë hezituar se ka Kosova kapacitet të tillë”, u shpreh Zymberi.

Drejtori ekzekutiv, Alvaro Antonio Costa, ka thënë se në Prishtina Mall do të jenë edhe disa marka të reja.

Image

“Sigurisht ne do të sjellim disa marka të reja. Hemley, Michael Kors dhe Twinset do të jetë brend i ri, po ashtu dua të them se ajo qe e dallon Prishtina Mall-in ndonjë markë e caktuar, por mundësia që t’i mbledhim të gjitha markat, duke e ditur se do të kenë të gjitha konceptet.. kemi arritur një marrëveshje edhe me Index brendin, koncepti më i ri i Pull and Bear, Zara, Bershka dhe Stradivarius. Por edhe LC Waikiki do të jetë një nga dyqanet më të mëdha në Kosovë”, u shpreh Antonio Costa.

Image

Si ka thënë ai, presin që këtë qendër brenda vitit ta vizitojnë 15 milionë persona.

“Presim që kjo qendër tregtare ta evoluohet brenda viteve dhe presim që 15 milionë njerëz ta vizitojnë Prishtina Mall-in brenda një viti”, u shpreh ai.

Image

Po ashtu në këtë konferencë u theksua se edhe çështja e udhëtimit është rregulluar.

“Veç kemi organizuar këtë punë, kemi kompani që kemi nga Prishtina nga New Borni dhe deri këtu. Transport të komunës edhe organizime prej qyteteve të tjera të Kosovës. Nuk është vetëm kjo, por është edhe për punëtorët që ta kenë transportin nga qyteti në Prishtina Mall”, u shpreh kryetari i Bordit, Fatmir Zymberi.

Image

Prishtina Mall është investimi më i madh privat në Kosovë dhe do të jetë destinacioni final e më i ri për familjet dhe miqtë, të cilët do të kalojnë kohën së bashku në një ambient tërheqës, komod dhe me atmosferë miqësore. /Zëri

Image

Teksti e fotot Gazeta Zëri