Për më shumë se gjashtë muaj, Partia Demokratike e Kosovës është duke u udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj. Ai u emërua në këtë pozitë, pas tërheqjes nga të gjitha aktivitetet publike në Kosovë të Kadri Veselit, pas arrestimit nga Gjykata Speciale në Hagë.
Gjashtë muaj më pas, anëtarët e Kryesisë së PDK-së nuk e përjashtojnë mundësinë që të mbajnë zgjedhje të brendshme para se të shkojnë në zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në vjeshtë 2021.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bedri Hamza, ditë më parë në një debat televiziv tha se duhet të diskutohet sjellja e njerëzve të ri në parti.
“Ndoshta duhet të ketë proces ose një konventë të partisë, ndoshta duhet të diskutohet edhe hapja e sjellja njerëzve të tjerë në parti. Mendoj që ai që e merr përgjegjësinë me e udhëheqë partinë ka nevojë me e pasë edhe ekipin dhe definitivisht në PDK duhet të krijohet hapësira që kanë qenë… ”, kishte pohuar ai.
Kurse, u.d i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, nuk ka treguar nëse do të kandidojë për kryetar të partisë, duke shtuar se gara për të parin e partisë duhet të jetë fer.
“Unë mendoj që këtë çështje do ta trajtojë në Kryesi, nuk do të shpalli kandidaturën në studio. Fillimisht ambiciet për kryetar do t’i them në Kryesi, pastaj në studio. Nuk është punë e ambiciesh kjo, përgjegjësia ime është që gara të jetë fer dhe e drejtë”, kishte deklaruar ai.
Ndërkaq, analistët politikë vlerësojnë se zgjedhjet e brendshme në PDK janë të domosdoshme.
Imer Mushkolaj në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se PDK gjendet në një situatë të vështirë.
“PDK gjendet në një situatë të vështirë dhe është duke u sillë si ‘parti pa krye’, në këtë situatë është e domosdoshme që të mbahen zgjedhjet brenda partisë në mënyrë që të adresohet saktësisht përgjegjësia tek secili prej njerëzve që do ta udhëheqin partinë. Nuk mundet të vazhdohet me u.d kryetari dhe askush nuk e dinë nëse dhe kur kryetari mund të kthehet në Kosovë dhe të ushtrojë funksionin”, theksoi ai.
Mushkolaj shtoi tutje se PDK duhet të shkojë në zgjedhje të brendshme sa më shpejtë.
“Duke pasur parasysh që PDK është partia më e madhe opozitare dhe zgjedhjet lokale janë afër është e domosdoshme që sa ma parë PDK të shkojë në zgjedhje dhe të zgjedh strukturat e reja të cilat do të kenë përgjegjësi të plotë në marrjen e vendimeve dhe menaxhimin e partisë”, pohoi tutje Mushkolaj.
Ndërsa, Arton Demhasaj potencoi se PDK ka nevojë për reformë të thellë.
“Zgjedhjet e brendshme në PDK janë të domosdoshme. Rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit tregojnë se ka nevojë për një reformë të thellë në PDK. Kjo reformë normalisht se do ta prekë edhe lidershipin, ne e dimë që PDK është me ushtrues detyre të kryetarit, pra nuk ka kryetar. Prandaj, mendoj që duhet të ketë zgjedhje të brendshme në PDK, madje sa më shpejtë në mënyre që të jenë të përgatitur për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë”, është shprehur ai.
Sipas Demhasajt, një PDK e reformuar do të ndikonte në rezultatet e zgjedhjeve lokale.
“Një PDK e reformuar, një PDK me lidership të ri, ndoshta do të ndikonte pozitivisht në rezultatet e partisë në zgjedhje, përndryshe nëse PDK vazhdon kështu me ketë lidership, me njerëz të njëjtë në zgjedhjet lokale atëherë mund të kenë rezultat më negativ se sa që kanë pasur në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Mendoj që duhet të ketë reformë brenda një kohë të shkurtë, që me qenë të përgatitur për zgjedhjet lokale, kjo domosodshmërisht duhet me përfshi edhe lidershipin edhe strukturat kryesore të PDK-së, duke mos anashkaluar as degët e saj. Mendoj që partia që mas shumti ka nevojë për reformë momentalisht është PDK”, potencoi mes tjerash ai.
Sa i përket kandidimit të Enver Hoxhajt për kryetar të PDK-së, Demahasaj tha se ai është konsumuar politikisht.
“Se kush mund te jenë emrat për kryetar kjo varet nga partia. Përndryshe, mendoj që u.d i kryetarit Enver Hoxhaj është goxha i konsumuar politikisht, për shkak se ai është në strukturat më të larta të PDK-së, që nga viti 2005 e tutje. Ka qenë nënkryetar që 15 vjet, mendoj që është e vështirë me ec kështu tutje dhe me pas përkrahje”, shtoi ai.
Ndryshe, më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë kishte paraqitur një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, si dhe disa personave të tjerë.
Veseli në fillim të nëntorit të vitit të kaluar u arrestua dhe u dërgua në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Veseli ka qenë njëra ndër figurat kyçe të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Telegrafi/