Situata e rënduar ekonomike si pasojë e pandemisë së koronavirusit ka ulur kërkesat për kredi në Kosovë dhe ka shkaktuar rënie te sektori i sigurimeve. Megjithatë, në kohë pandemie “shpëtimi” u gjet te diaspora që ka rritur ndjeshëm remitencat.
Që nga marsi e deri në korrik, afro 550 milionë euro është shuma e kredive që janë marrë nga qytetarët, bizneset e ndërmarrjet në Kosovë. Kjo shifër, megjithatë, është më e ulët se ajo e vitit të shkuar për rreth 130 milionë euro. Më 2019, në periudhën e njëjtë ishin dhënë mbi 680 milionë euro kredi në Kosovë.
Banka Qendrore e Kosovës, në një përgjigje për KOHËN, ka bërë të ditur se pa përfshirë kreditë e marra për mbitërheqje dhe linja kreditore, shuma e kredive të reja për këtë periudhë është 547.8 milionë euro.
Nga kjo shumë, 175.7 milionë euro janë kredi për ekonomitë familjare, 40.6 milionë euro janë kredi të reja hipotekare. Ndërkaq, vlera e kredive të reja që janë dhënë nga bankat për ndërmarrjet nga muaji mars deri në korrik 2020 është 372 milionë euro.
Rënie ka shënuar edhe sektori i sigurimeve. Që nga janari në qershor, krahasuar me periudhën e njëjtë me vitin e kaluar rezulton se sektori i sigurimeve ka shënuar rënie nën masën prej 4.06 për qind.
“Si rezultat i situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, bazuar në të dhënat e periudhës janar-qershor 2020 rezulton se sektori i sigurimeve në Kosovë ka pësuar rënie të të hyrave përkatësisht primeve të shkruara bruto në masën prej 4.06% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak 2019. Gjithsej primet e shkruara bruto gjatë periudhës janar-qershor 2020 u evidentuan në shumë prej 45.40 milionë euro, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishin në shumë prej 47.31 milionë euro. Pavarësisht faktit se trendi i të hyrave për këtë periudhë shënoi një rënie në masën prej 4.06%, sektori i sigurimeve vazhdoi aktivitetin e saj në suaza normale të operimit. Shuma e dëmeve të paguara gjatë periudhës janar-qershor 2020 ishte gjithsej 22.4 milionë euro, duke shënuar një rënie të lehtë prej 2.13% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak 2019”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Ndërkaq, përkundër sektorëve të shumtë të cilët u lëkundën nga efektet e pandemisë, fatin e njëjtë nuk e patën edhe remitencat. Përkundrazi, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, 34.2 milionë euro më shumë janë dërguar në formë të remitencave për periudhën mars-korrik. Përgjatë këtyre muajve, në Kosovë nga mërgimtarët janë dërguar 400.5 milionë euro.
“Me gjithë situatën e vështirë të shkaktuar nga pandemia COVID-19, mërgimtarët siç kanë bërë edhe në çdo periudhë të vështirë, kanë ndihmuar shumë familjet e tyre dhe përmes tyre ekonominë tonë. Vetëm në periudhën mars-korrik 2020 vlera e remitencave të dërguara nga mërgimtarët tanë, arriti në shumën prej 400.5 milionë euro. Kjo shumë është për 34.2 milionë euro më shumë (ose 9.3 për qind) se periudha e njëjtë e vitit të kaluar (mars-korrik 2019), ku vlera e remitencave ishte 366.3 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
BQK-ja tutje ka shtuar se sistemi bankar në vend është i qëndrueshëm. Sipas këtij institucioni, edhe pse ka pasur telashe me pandeminë, sektori bankar ka arritur të performojë mirë dhe të jetë i angazhuar në mbështetjen e tejkalimit të situatës ekonomike për qytetarët dhe bizneset.
Në përgjigjen e BQK-së ndër të tjera është thënë se sektori bankar iu është përgjigjur pozitivisht kërkesave të bizneseve dhe personave fizikë për shtyrje të pagesës së kësteve të kredive, ku sipas tyre, për biznese janë aprovuar 99 për qind e kërkesave për shtyrje dhe për persona fizikë 86 për qind.
PKOHA më herët ka raportuar se që nga marsi e deri në qershor, për shkak të efekteve negative të pandemisë, është rritur edhe numri i familjeve të cilat i janë shtuar skemës sociale. Për këtë periudhë kësaj kategorie i janë shtuar 417 familje.