Në nisjen e vizitës treditore në Shqipëri, Vjosa Osmani do të pritet me ceremoni nga Ilir Meta

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, sot do të fillojë vizitën treditore në Shqipëri.

Vendi i parë që do të vizitojë Osmani gjatë është memoriali i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në qytetin e Lezhës.

Pritja me ceremoni shtetërore do t’i bëhet nga ora 15:30 në Pallatin e Brigadave nga presidenti Ilir Meta.

Më pas, ata të dy do të dalin me një konferencë të përbashkët për media në orën 17:00.

Ndërsa të enjten më 17 dhjetor, Osmani do të takohet me homologun e saj, kryekuvendarin Gramoz Ruçi dhe do të vendosë kurora lulesh te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Po ashtu, presidentja në detyrë do të mbajë fjalim në Kuvend.

Ndërkaq, në orën 16:00 Osmani do të takohet me kryeministrin, Edi Rama.

Ditën e fundit të vizitës, të premten në orën 10:00 ajo do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në orën 11:00, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të ‘Çelësit të Qytetit’.

Në orën 11:45 Osmani do të ketë takim me ish-kryeministrin, Sali Berisha.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Osmanit që kur ushtron detyrën e presidentes së Kosovës.