Në mesin e të infektuarve të mbrëmshëm me koronavirus në Prizren edhe një foshnje

79 persona nga Prizreni janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19. Të dielën janë marrë 33 mostra për testime, nga ku kanë rezultuar pozitive 3 prej tyre. Drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, ka thënë për Express se të konfirmuarit e mbrëmshëm janë raste kontakti të një personi që është infektuar para pak ditësh me koronavirus

Tre anëtarë të një familjeje nga Prizreni kanë rezultuar pozitivë në tesimet për COVID-19 të dielën.

Ata virusin e morën nga anëtari i familjes së tyre, i cili është punonjës në QKMF’në e Prizrenit e që ishte konfirmuar me koronavirus para pak ditësh.

Drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, tha për Express se në mesin e tre personave të cilët kanë rezultuar pozitivë është edhe një foshnje e lindur në vitin 2019. 

“Dje janë testuar 33 mostra, nga të cilat 3 kanë rezultuar pozitive. Të gjitha janë raste kontakti, janë familjarë të një personi i cili është infektuar më herët, ndërkaq burimi i infeksionit është reparti i hemodializës. Ai ka qenë vozitës i kujdesit parësor të QKMF’së, tani kanë rezultuar pozitivë dy prindërit e tij dhe një foshnjë e lindur në vitin 2019”, theksoi Shehu.

Shehu tha se sot do të testohen edhe 12 persona, nga të cilët 2 persona do të ritestohen për të parë nëse janë shëruar nga koronavirusi.

“Sot do të testohen edhe 12 persona. Vozitës, kontakte dhe pacientë të hemodializës, ndërkaq në mesin e tyre janë edhe 2 persona të cilët do të ritestohen. Sot mbyllet cikli i testimit të pacientëve të hemodializës”, ka theksuar Shehu.

Ndërkohë, numri total i personave të konfirmuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 851.

Nga ta janë shëruar tashmë 381, ndërkaq kanë vdekur 25 persona.

Qeveria e Kosovës ka nisur aplikimin e masave lehtësuese në vend, pasi numri i të shëruarve nga koronavirusi është duke u rritur.

Nga sot janë lejuar të punojnë disa biznese, e po ashtu është zgjatur orari i daljes për qytetarët i cili deri më tani ka qenë një orë e gjysmë. Nga sot qytetarët lejohen të dalin dy herë në ditë, nga një orë e gjysmë, për të kryer obligimet e tyre.

Këto masa vlejnë deri më 18 maj, kur dhe do të fillojë faza e dytë e lehtësimit të masave.

Nga 18 maji do të fillojë hapja graduale e bizneseve tjera, derisa lëvizja e qytetarëve do të vazhdojë të jetë e njëjtë.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, po bëjnë apel tek qytetarët që gjatë daljeve të tyre, të kenë patjetër me vete masat mbrojtëse, si dorëzat dhe maskat, të respektojnë distancën soicale dhe të mbajnë higjienën personale.