Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka konfirmuar se dje është regjistruar rasti i parë me koronavirus nga stafi shëndetësor i Klinikës Infektive.
Sipas njoftimit për media, sipas raportit ditor të Klinikës Infektive, në këtë klinikë sot janë duke u trajtuar gjithsej 34 pacientë me Covid-19.
Nga këta 34 pacientë, 26 prej tyre janë në gjendje stabile dhe 8 prej tyre kanë nevojë për oksigjenoterapi.
“Klinika Infektive, bën të ditur, gjithashtu, se dje ka regjistruar edhe personin e parë nga stafi shëndetësor i Klinikës Infektive, që ka rezultuar pozitiv në Covid-19.
Bëhet fjalë për një infermiere të Klinikës Infektive, e cila ka qenë në kontakt të afërt me pacientët e hospitalizuar në këtë klinikë”, thuhet në njoftim,
Në njoftim thuhet gjithashtu se Klinika shpreh mbështetjen për punëtorët e saj për t’u përballur me gjendjen.
“Rasti i koleges tonë nuk do të na dekurajoj dhe demotivoj që së bashku me kolegët e tjerë të ofrojmë ndihmën mjekësore për pacientët tonë. Këtë do ta bëjmë në çfarëdo kushtesh dhe rrethanash”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.