Në Kosovë 3862 raste aktive me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se numri total i rasteve pozitive është 9.492 raste nga 38.803 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 284 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

IKSHPK njoftoi se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 5.346 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.862.

Derisa bartja e maskave mbetet obligative, IKSHKP thekson se zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

Ky Institut apeloi te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

“Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar”, thuhet më tej.

Sipas IKSHPK-së, çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.