Ashpërsimi i masave antiCOVID në Kosovë duket se nxiti qytetarët që fundjavën ta kalojnë në vendet ku nuk ka kufizime ndaj koronavirusit.
Kosovarët kanë vendosur që ditët e pushimit t’i kalojnë në Shqipëri, ku sipas të dhënave nga Policia e Kosovës mbi 48 mijë persona kanë shkuar në këtë shtet gjatë tri ditëve të fundit.
Policia e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin, ka treguar se fluksi më i madh i qytetarëve për gjatë këtyre tri ditëve ka qenë në vendkalimin kufitar Vermicë. Ku vetëm të premten, 9 prill, në dalje të Kosovës, në Vërmicë kanë kaluar 13, 981 qytetarë. Kurse, gjithsej në të gjitha vendkalimet me Shqipërinë kanë kaluar 23, 255 qytetarë, 6,886 vetura dhe 169 autobusë.
Të premten nga Kosova në Shqipëri kanë shkuar 15, 427 qytetarë.
Ndërsa, më datën 10 prill (e shtunë) në vendkalimet e Kosovës me Shqipërinë, në hyrje dhe dalje, janë kontrolluar 24 mijë e 221 qytetarë, kurse numri i qytetarëve që ka shkuar në Shqipëri të shtunën ishte 14 mijë e 776.
Kurse, më 11 prill ( e diel) Policia ka kontrolluar 47, 083 qytetarë, kurse numri i qytetarëve që ka shkuar në Shqipëri është 18,418.
Theksojmë se masat e reja kufizuese në Kosovë kanë hyrë në fuqi me datën 7 prill, dhe do të zgjasin deri më 18 prill.
Ndër masat e reja janë ndalim qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00-05:00 përveç në rastet emergjente, ndalimi i aktiviteteve të gastronomisë përveç shërbimit “merr me veti” si dhe kalimi në formën online të mësimit për ciklin parauniversitar dhe universitar.
Me këto masa ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë si dhe shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri më datë 18 prill.
“Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (6 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore. Institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19”.
Në vendimin e Qeverisë thuhet se institucionet publike dhe private obligohen që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale. Përgjegjësit e institucioneve publike dhe private obligohen të definojnë stafin esencial për nevojat e institucionit me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç: gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit dhe çiklimit dhe gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.
Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasma, ahengje familjare, homazhe, e të ngjashme).
Ndryshe, në 24 orët e fundit janë konfirmuar gjithsej 345 raste të reja me COVID-19, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 1,996.