Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, aktualisht janë mbi 10 persona të cilët dyshohen se janë të prekur me koronavirus.
Infektologu në Klinikën Infektive, Valbon Krasniqi, bëri të ditur për Telegrafin se rezultatet e këtyre pacientëve pritet të dalin gjatë ditës së sotme.
“Janë mbi 10 persona të cilët kanë ardhur pasditen e të enjtes, mostrat u janë marrë dhe sot pritet të dalin rezultatet. Gjendja e përgjithshme e tyre është e mirë, çdo pacientë ka histori të ndryshme të cilët mund të jenë prekur nga coronavirus”, deklaroi Krasniqi.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, ka njoftuar se që nga data 08.02.2020 deri me 12.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, kanë testuar gjithsej 93 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.
IKSHPK, thekson se nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përsëritur rekomandimet:
• Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!
• Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!
• Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratore!
• Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
• Lani duart porsa hyni në shtëpi!
• Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!
• Lani duart pas përdorimit të tualetit!
• Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
• Evitoni përdorimin e tualeteve publike!
• Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!
• Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!
• Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!
• Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!
• Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
• Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!
• Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin publik të përdorin maska!
• Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara!
• Personat të cilët kanë histori udhëtimi në zonat të cilat raportojnë për përhapje lokale të COVID-19 brenda 2 javëve të fundit, kanë kontakt të afërt me personat e konfirmuar ose të mundshëm me COVID-19, dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!
• Nëse personi nuk ka kontakt të afërt me të sëmurin por vetëm është kontakt potencial për atë se ka qëndruar në vendet ku ka raste me COVID-19, personit të tillë i rekomandohet izolimi vetë-shtëpiak edhe në prani të anëtarëve tjerë të familjes.
• Kontaktet këshillohen për monitorim të shëndetit për 14 ditë pas datës së fundit të ekspozimit dhe të kërkojnë kujdes të menjëhershëm shëndetësor nëse shfaqin ndonjë simptomë, veçanërisht ethe, temperaturë, simptoma të frymëmarrjes, siç janë kollitja ose vështirësi në frymëmarrje ose diarreja.
• Kontaktet duhet të konsiderojnë ushtrimin e vetë-izolimit për 14 ditë në shtëpi
• Është me rëndësi që ky person nuk duhet të shkojë në punë, shkollë, kino dhe ambientet publike ku ka grumbullim të shumë personave
Rregulla e parë e izolimit në shtëpi është:
• Personat e moshuar dhe fëmijët të ndahen nga anëtarët tjerë të familjes.
• Të shfrytëzohen peceta, të dezinfektohen sipërfaqet dhe gjësendet, sa më shpesh të lahen rrobat, mbajtja e higjienës së duarve është esenciale dhe të shmanget prekja e hundës, gojës dhe syve.
• Gjatë kollitjes dhe teshtitjes të përdoret peceta dhe ato të hudhen në vende të sigurta.
• Nëse ka mundësi secili të bëjë gjumin në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo personale.
• Mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi.
• Nëse keni kafshë shtëpiake largoni ato ose pas çdo kontakti me to lani duart me ujë dhe sapun.
• Monitoroni simptomet e juaja.
• Thirrni mjekun tuaj para vizitës në kujdesin shëndetësor.
• Menaxhoni në mënyrën e duhur mbeturinat.
• Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës!
• IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt zonave/ shteteve me coronavirus, nëse nuk e kanë të domosdoshme!