Në Infektivë 23 persona me koronavirus, 3 në gjendje të rëndë

Në Klinikën Infektive të QKUK-së, gjenden të shtrirë 23 persona të prekur me coronavirus, ndërsa tre pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, infektologu i Klinikës Infektive, Valbon Krasniqi.

Krasniqi bëri apel që qytetarët të vazhdojnë me masa mbrojtëse ndaj COVID-19, të mos dalin nga shtëpia pa maska dhe të shmangin tubimet me shumë njerëz.

Deri tani në vendin tonë me coronavirus kanë rezultuar 1 mijë e 263 persona, 912 prej personave të infektuar janë shëruar ndërsa janë regjistruar edhe 31 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendime të reja rreth pandemisë COVID-19, ku ka hequr kufizimin e lëvizjes si dhe ka vendosur rregulla të reja për qytetarët që kthehen në Kosovë.