Në fondit për COVID-19, u grumbulluam mbi 720 mijë euro

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me ndërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve të Diasporës Shqiptare.

Me këtë rast ai ka falënderuar diasporën për angazhimin gjatë pandemisë COVID-19 dhe mbështetjen financiare e cila tashmë ka kaluar vlerën 720 mijë euro.

“Diaspora ka një rëndësi shumë të madhe për Republikën e Kosovës dhe kjo rëndësi e saj është reflektuar në vëmendjen që ajo ka në Programin e Qeverisë. Në këtë drejtim, ne e mendojmë ta fuqizojmë rolin e ndërmjetësues të diasporës në takime të niveleve të larta tek vendimmarrësit politikë dhe korporatat e mëdha në vendet ku ata jetojnë, duke krijuar mekanizma, sikurse ai i Këshillit Nacional për Investime të Huaja dhe Strategjike, që do të vendoset në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”.

“Tutje, ne e shohim diasporën si kapital human, përpos financiar. Për këtë arsye ne do të fokusohemi në krijimin e një programi nacional që në bazë ka transferin e dijes dhe përvojës nga diaspora në Kosovë. Duke vlerësuar se diplomacia dhe diaspora janë të pandashme në shumë fusha, dhe me qëllim të ristrukturimit të përfaqësimit, kjo qeveri ka bashkuar Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Për këtë jemi bazuar në modele të suksesshme ndërkombëtare, sikurse ai i Irlandës”.