“Ne e kemi marr një deputet nga ju, nuk po duam të ndërhyjmë”, “Na ke ndihmu, bravo të qoftë”, të qeshura në Kuvend pas deklaratës së Gashit e Konjufcës

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka zëvendësuar sot deputetët e saj në komisionet parlamentare pas largimit nga kjo parti të deputetëve Eman Rrahmani, Visar Korenica dhe Drita Millaku.

Në votimin e parë për këtë çështje vetëm 60 deputetët morën pjesë në votim, duke pamundësuar që kjo pikë të aprovohet për mungesë të kuorumit.

Tutje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca kërkoi votën e partive opozitare për këtë pikë, pasi sipas tij, të gjitha partitë mund të kërkojnë zëvendësime për komisionet dhe me mospjesëmarrje në votim mund të krijohet precedent.

“Është mirë edhe opozita me votu ju lutem…nuk është veç Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje që ka nevojë për zëvendësime”, tha ai.

Pas tij, foli kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, raporton Telegrafi

“Pajtohem plotësisht me ty është e drejtë e partisë me i zëvendësua deputetët në komisione. Është vendosur më herët në legjislaturën e kaluar një precedent i keq prej Lëvizjes Vetëvendosje.. kur ne si LDK kemi desht me zëvendësu një deputet për shkak të mungesës që për çështje shëndetësore ishte në SHBA e nuk na keni leju…

Gjithësi unë mendoj që ju takon juve, është e drejtë e juve por meqenëse ne e kemi marr një deputet nga ju nuk po duam të ndërhyjmë në çështjet e juaja të brendshme, ju mbetet juve me zgjedh”, tha Gashi.

Më pas, kryetari i Kuvendit iu drejtua Gashit “Na ke ndihmu… bravo të qoftë”, duke shkaktuar të qeshura në Kuvend.

Pas këtyre momenteve në Kuvend, në votim morën pjesë 61 deputetë dhe u aprovua propozimi i LVV për zëvendësimin e anëtarëve në komisione.