6 muaj pasi Kosova shënoi rastet e para me Covid-19, këtë të premte numri i të vdekurve ka rënë në mënyrë drastike.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë ka vdekur vetëm një person nga Covid-19 derisa numri i viktimave ka shkuar në 499.
Nga 480 mostrat e marra, 119 persona kanë rezultuar pozitivë, ndërsa 154 të tjerë janë shëruar.
Por në QKUK dhe spitalet rajonale janë 475 pacientë të cilët po trajtohen. Nga kjo shifër 321 janë me oksigjeno-terapi, 28 në CPAP dhe 13 në respiratorë.
E vetëm brenda dy ditëve qëkur ka hyrë në fuqi Ligji anti-Covid, i cili parasheh ndëshkime për të gjithë ata që nuk i respektojnë masat e vëna nga Qeveria, Inspektorati Sanitar ka shqiptuar një sërë gjobash, raporton KOHA.
Deri tash, 18 qytetarë janë dënuar për mosrespektim të masave. Ndërsa ky inspektorat ka dënuar edhe 22 biznese.
Që nga muaji korrik e deri më tani Inspektorati ka shqiptuar rreth 450 gjoba mandatore për bizneset dhe gastronominë që nuk i kanë respektuar masat.
Ndërsa Autoriteti i Konkurrencës, i cili që nga licencimi i laboratorëve privatë ka nisur të monitorojë përcaktimin e çmimeve thotë se nuk ka gjetur deri më tani ndonjë shkelje.
Në Kosovë deri më tani mbi 13 mijë persona kanë rezultuar pozitivë në testet për Covid-19, derisa mbi 3 mijë raste mbesin aktive.