Kosova dhe Serbia sot në Bruksel pritet të vazhdojnë bisedimet në nivelin e ekspertëve, ku pritet të diskutohet çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të zhvendosurit dhe bashkëpunimi ekonomik.
Të tri këto çështje janë shtruar në tryezën e bisedimeve të enjten e kaluar në Bruksel në takimin e parë të kryeministrit Hoti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në kuadër të rifillimit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Edhe zëdhënësja e Bashkimit Evropian, për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE, Nabila Massrali, tha se në takimin e sotëm do të diskutohen temat që janë hapur në takimin e Hotit me Vuçiqin.
“Ne i kemi dërguar ftesat, presim që të dëgjojmë nga palët. Takimi i nivelit të ekspertëve do të fokusohet në temat që janë diskutuar”, ka deklaruar Massrali.
Delegacioni i Kosovë do udhëhiqet nga koordinatori shtetëror për bisedimet me Serbinë, Skender Hyseni, i cili ditë më parë u emërua në këtë post nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Hyseni, në Bruksel udhëton së bashku me Ibrahim Makollin. Sipas kryeministrit Hoti ata “do ta bëjnë draftimin e marrëveshjes finale, sa i përket çështjes së të pagjeturve”.
Kujtojmë se kryeministri Avdullah Hoti ditë më parë ka deklaruar se nuk do të ketë dialog në nivel teknik.