Në 6 muajt e parë të 2019 vdiqën qindra persona më shumë se sivjet në pandemi

Më shumë kosovarë kanë vdekur në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar sesa në gjashtë muajt e parë të këtij viti kur vendi po përballet edhe me pandeminë COVID-19. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, krahasuar me vitin e kaluar janë regjistruar rreth 650 vdekje më pak, raporton Express.

Më 22 mars të këtij viti u regjistrua vdekja e parë nga COVID-19 në vend. Nga ajo ditë e deri sot, numri i kosovarëve që kanë humbur betejën me këtë sëmundje ka arritur në 300, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Por, pavarësisht vdekjeve nga koronavirusi, krahasuar me vitin e kaluar në vend janë regjistruar më pak vdekje. 

Bazuar në publikimet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga 1 janari deri më 30 qershor, kanë vdekur 4 mijë e 382 persona, apo 24 vdekje për një ditë.

Kjo shifër e vdekjeve është më e vogël me vdekjet e regjistruara në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kur janë raportuar 5 mijë e 24 vdekje.

Nëse krahasohen të dhënat e dy viteve, i bie që sivjet janë regjistruar rreth 650 vdekje më pak.

Madje, numri më i madh i vdekjeve kanë ndodhur në janar, kur vendi nuk kishte të konfirmuar asnjë rast me koronavirusin e ri, derisa më së paku janë raportuar në prill. 

E për sëmundjet prej të cilave vdesin më shumë kosovarët, kishte publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës një raport.

Sipas këtij raporti, sëmundjet kryesore që ua kanë marrë jetën kosovarëve viteve të fundit kanë qenë ato të sistemit të qarkullimit të gjakut, tumoret, sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes, sëmundjet e sistemit urogjenital.

Ndryshe, që nga fillimi pandemisë në vend, janë testuar gati 40 mijë kosovarë të dyshuar se janë prekur nga COVID-19. Pas testimit në laboraotin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pozitë kanë rezultuar 9 mijë e 688 persona. 

Deri tash, këtë sëmundje e kanë mposhtur 5 mijë e 480 pacientë, derisa kanë vdekur 300 persona, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese. 

Numri i rasteve aktive me këtë sëmundje në tërë vendin aktualisht është 3 mijë e 908.

“Numri total i rasteve pozitive është 9.688 raste nga 39.278 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 300 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 134 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 5.480 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.908”, thuhet në raportin e fundit të IKSHP’së./Gazeta Express