Në 23 vjetorin e themelimit të partisë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me vendim të kryesisë, ka themeluar sot Këshillin Politik, një organ këshillëdhënës i partisë.
Në njoftimin e PDK-së këshilli politik ka 31 anëtarë, ndërsa përbëhet nga koordinatori dhe 30 anëtarë të partisë.
“Anëtarët e këshillit, janë personalitete që kanë kontribuar në Partinë Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj, në pozicione dhe kapacitete të ndryshme si deputetë, kryetarë komunash, ministra, themelues të partisë”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se Krasniqi i ka falënderuar të gjithë anëtarët e këshillit për punën e tyre që nga themelimi i partisë e deri sot, ndërsa i ka ftuar që përvojën e tyre politike të vazhdojnë ta japin tani nëpërmjet punës në këshillin politik.