Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, siç duket ka ndryshuar qëndrim për deklaratën e tij ku pretendonte se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kontrabanduar nga Tirana liderin e AKR-së, Behgjet Pacollin.
Në një deklaratë për ‘Ilva Now’, Sveçla ka mohuar të ketë pretenduar se Pacolli ka hyrë në Kosovë me veturën e Thaçit, ani pse thoshte se një veprim i tillë është kryer përmes bagazhit.
“Unë në asnjë moment nuk kam deklaruar se Pacolli ka qenë në veturën e zotit Thaçi. Unë jam përgjigjur shumë pyetjeve të gazetarëve, të cilat kanë pasur pretendime, në bazë të informatave të tyre, por edhe në bazë të informatave të Policisë së Kosovës për sjellje të çuditshme dhe të papërshtatshme të Presidenti të Republikës”, tha ai.
Mirëpo, një javë më parë Sveçla drejtpërdrejtë në konferencë për media bëri një pretendim të tillë, për të cilin paralajmëroi edhe arrestim të liderit të AKR’së, Behgjet Pacollit, shkruan Gazeta Metro.
“Mbrëmë vonë jam informuar nga policia kufitare se Presidenti Thaçi ka kaluar kufirin shtetëror pak para orës 18:00 në drejtim të Shqipërisë, i njëjti është kthyer në Kosovë pak pas orës 19:00. Kur eskorta është ndalur, është konstatuar se në veturën e dytë ndodhet Presidenti, po ashtu është vërejtur se Presidenti është ulur në ulësen e parë përkundër rregullave të sigurisë për personat VIP, po ashtu policia nuk ka mundur të vëren nëse ka qenë dikush mbrapa në veturë”, tha ai.
“Nëse presidenti ka qenë i shoqëruar nga zotëri Pacolli, oblighet që t’i nënshtrohen rregullave të karantinimit, ose vet izolimit në linjë me historikun e shëndetit. Nisur nga kjo nëse me të vërtetë deputeti, Behgjet Pacolli ka qenë në veturën e presidentit Thaçi, atëherë ai me vetëdije të plotë i ka shkelur rregullat për karantinim ose vetizolim për të cilat ishte paralajmëruar edhe para nisjes për Kosovë”, ka thënë tutje ai.
Kujtojmë se konflikti në distancë mes dy palëve mori vëmendje të madhe në vend. Madje, këtu u përfshi edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili konfirmoi se mendon njëjtë si Sveçla.
Ai ftoi në një debat Presidentin Thaçi ku i tha të marrë me vete edhe Pacollin, teksa ai do të shoqërohej nga u.d i Ministrit të Brendshëm.
Sidoqoftë, të gjitha këto dolën të jenë vetëm spekulime pasi që deputeti Pacolli arriti në Kosovë një ditë më vonë me aeroplanin e tij privat, ku më pas u vetizolua në shtëpinë e tij.