Lista në bazë të së cilës vendoset se shtetasit e cilave vende mund të hyjnë në Kosovë pa test PCR dhe që nuk kanë nevojë të vetizolohen, ka ndryshuar. Bazuar në përditësimet e fundit, kësaj liste i janë shtuar edhe pesë shtete tjera, derisa një është larguar. Por, cilat janë shtetet që aktualisht gjenden në “listën e zezë”?
Përderisa në Kosovë, numri i rasteve të reja me COVID-19 po shkon duke u ulur çdo ditë, në shtetet e tjera evropiane situata vetëm sa po përkeqësohet.
E për të parandaluar rritjen e rasteve me këtë sëmundje në vend, Shteti ka vendosur që të mos ua lejojë hyrjen pa një test PCR-Negativ, shtetasve të vendeve që po përballen me rritje të rasteve. Edhe pasi hyjnë, atyre u duhet të vetizolohen nga 7 deri në 14 ditë.
Deri të martën, një test i tillë u kërkohej banorëve të dhjetë vendeve, por që tashmë lista ka ndryshuar.
Aktualisht vendi ka “vija të kuqe” për 15 shtete evropiane, të cilat vlerësohen me rrezik të lartë infektimi.
E për mënyrën se si vlerësohet që një shtet ka rrezik të lartë të infektimit, kanë treguar nga Ministria e Shëndetësisë.
Në këtë institucion kanë deklaruar se Kosova vepron në bazë të listës së publikuar në web faqen e Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), listë kjo që përditësohet vazhdimisht.
“Lista është e publikuar në web faqen e ECDC dhe në bazë të saj veprohet edhe në Kosovë. Me rrezik të lartë konsiderohen vendet që kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100.000 banorë”, kanë deklaruar nga Ministria.
Bazuar në këtë listë, shtetet të cilat vendi aktualisht i konsideron me rrezik të lartë të infektimit janë: Spanja, Franca, Britania e Madhe, Holanda, Rumania, Belgjika, Çekia, Austria, Irlanda, Hungaria, Sllovakia, Luksemburgu, Islanda, Sllovenia dhe Malta.
Të gjitha këto shtete kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100 mijë banorë, gjë që i bën të jenë pjesë e listës së shteteve me rrezik të lartë.
Ndryshe, edhe Kosova deri para një jave është konsideruar si vend me rrezikshmëri të lartë dhe ka qenë pjesë e listës së karantinës në Zvicër. Por, pas uljes së rasteve, shteti zviceran e ka larguar vendin nga kjo listë.
Hapjen e kufijve për kosovarët pritet ta bëjë nga e hëna edhe Republika e Maqedonisë së Veriut.
Vendim të ngjashëm për hapjen e kufijve pritet të miratojnë edhe qeveritë e shteteve të rajonit, në mënyrë që qytetarët të mund të lëvizin pa prezantuar para autoriteteve kufitare testin negativ për koronavirus.
Për situatën epidemiologjike në vend është deklaruar sot edhe Kryeministri Avdullah Hoti.
Hoti ka thënë se lidhur me menaxhimin e pandemisë, gjatë 100 ditëve të qeverisjes së tij, Kosova ka arritur të bëhet shembull.
“Më duhet të them se për këtë pandemi jemi sharë shumë edhe në këtë kuvend, por sot jemi bërë shembull në rajon dhe më gjerë se si menaxhohet kjo situatë. Kosova është hequr nga lista e vendeve të rrezikshme. Ata persona që i kanë shtrembëruar të dhënat e numrit të të infektuarve për ta nxjerrë vendin e tyre keq, sot duhet të turpërohen”, ka deklaruar Hoti.
Megjithatë, ai shtoi se pandemia e COVID-19 ka goditur ekonominë e vendit duke ndikuar negativisht në të gjithë indikatorët ekonomik.
Me qëllim të tejkalimit dhe zbutjes së situatës së krijuar, Hoti tha se qeveria që ai drejton, ka themeluar fondin për rimëkëmbje ekonomike, në vlerë prej 365 milionë euro, i cili është miratuar bashkë me rishikimin e buxhetit.
“Masat për të tejkaluar situatën ekonomike të shkaktuar nga COVID-19, kanë përfshirë lehtësimin e qasjes në kredi për ndërmarrjet private, lehtësimin e barrës tatimore për biznese, masa për mbështetje të punësimit, për mbështetje në zhvuillimin e bujqësisë, stimulim për kërkesën agregate, mbështetje për ndërmarrjet publike për të operuar dhe masa tjera të lehtësirave të ndryshme fiskale që kemi ofruar”, tha Hoti para deputetëve. /Gazeta Express