Në fushë, portieri legjendar i Gjermanisë, Oliver Kahn, kishte një reputacion për temperamentin e tij të zjarrtë. Por ai është bërë mjaft i “butë” për t’u bërë kryetari i ardhshëm i gjigantit të Bundesligës, Bayern Munichut.
Khan 51-vjeçar, do të zëvendësojë kryetarin në largim të Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge, i cili do të japë dorëheqjen në fund të këtij muaji pas 30 vjetësh në administratën e klubit.
Gjatë karrierës si lojtar aktiv, Kahn fitoi pseudonimet “King Kahn” dhe “Vol-Kahn-o” për natyrën e tij të ashpër garuese. Ai fitoi tetë tituj të Bundesligës dhe ngriti Kupën e Gjermanisë në gjashtë raste me Bayernin para se të tërhiqej nga futbolli aktiv në vitin 2008, pas 14 vjetësh në klub.
Që kur vari dorezat, Kahn është integruar në mënyrë të qëndrueshme në menaxhimin e Bayernit, duke iu bashkuar bordit të klubit në janar të vitit të shkuar, përpara se të zgjidhet pasues i Rummenigges 65-vjeçar.
Ai mbahet mend në Gjermani jo vetëm për pritjet e tij mahnitëse të cilat ndihmuan Bayernin të fitonte finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2001 pas penalltive, por edhe për një incident në vitin 1999. Gjatë një ndeshjeje në Bundesligë ai nguli dhëmbët e tij në qafën e sulmuesit të Borussia Dortmundit, Heiko Herrlich. Në një intervistë, Kahn pranoi që incidenti e detyroi të mendonte për durimin e tij.
“Ky ishte zeniti i agresionit tim dhe shpërtheu brenda meje”, tha Kahn. “Kjo ishte një lloj force e brendshme brenda meje që më sinjalizoi, duke më thënë se unë nuk mund të vazhdoj kështu”.
Tri herë i votuar portieri më i mirë në botë gjatë karrierës së tij, Kahn ka qenë i zënë që nga pensionimi.
Ai e mori licencën e trajnerit në vitin 2010, punoi si një ekspert televizioni dhe u pajis me diplomë në Administrimin e Biznesit në vitin 2012, duke shkruar tezën e tij rreth “Menaxhimit strategjik në futbollin profesionist të Gjermanisë”.
Pas një mësimi 18-mujor, ai do të marrë frenat e Bayernit muajin tjetër.
Sezoni 2021/22 do të paralajmërojë një epokë të re për gjigandët e Bundesligës, me trajnerin Julian Nagelsmann 33-vjeçar, i cili në këtë post ka zëvendësuar Hansi Flickun e larguar.
“Besoj se jam gati për këtë post të ri dhe me përgjegjësi të madhe. Synimi im është ta vazhdoj rrugën e Rummeniges”, ka pranuar Kahn.
Kahn e ka mbajtur portën e pastër në 247 ndeshje prej 632 paraqitjeve që i ka pasur për Bayernin në të gjitha garat gjatë karrierës. Bayerni po pret një tranzicion të dukshëm të pushtetit nga Rummenigge te Kahni dhe të gjithë këtë e kanë parasysh.
“Pas karrierës së tij jashtëzakonisht të suksesshme profesionale dhe kohës së tij si sipërmarrës, Kahn ka qenë i përfshirë intensivisht në bordin e drejtorëve të Bayern Munichut”, tha Herbert Hainer i klubit bavarez. “Ne të gjithë jemi të bindur se Oliver Kahn është njeriu i duhur për të formuar me sukses të ardhmen e ekipit tonë”.
Kahn do të duhet të zhvillojë aftësitë e tij diplomatike, ku në qendër të vëmendjes duhet ta ketë Bayernin. Qasja e tij e pakuptimtë shpesh ka polarizuar mendimet rreth Kahnit në Gjermani dhe si kryetar ai do të kërkojë suksesin te Bayerni që e kishte si lojtar. Pamja e Kahnit duke tmerruar kundërshtarë, e kishte bërë atë person të papërshtatshëm edhe në raport me bashkëlojtarët. Ai në mënyrë të famshme i prishi raportet me sulmuesin Luca Toni dhe Franck Riberyn në edicionin 2007/08, pak para se të tërhiqej nga futbolli aktiv. U nevojit ardhja e kapitenit të ardhshëm të Bayernit, gjermanit Manuel Neuer në vitin 2011 për të mbushur përfundimisht boshllëkun që e la Kahni, pasi një numër portierësh para tij nuk arritën të ishin në nivel për ta mbajtur fanellën me numrin 1. Në autobiografinë e tij me titull “Numri Një”, Kahn e përshkruan veten “të vendosur dhe të pasionuar si askush tjetër”.
Me “King Kahn” si forcën lëvizëse në krye, Bayerni tani nuk po tregon asnjë shenjë se ka hequr dorë nga dominimi në Bundesligë, duke paralajmëruar se do të luftojë për titullin e kampionit edhe sezonin e ri. Bayerni së fundi e ka fituar titullin e nëntë rresht në Gjermani, ndërsa Kahni tashmë ka sfiduar lojtarët dhe trajnerin për ta rrëmbyer edhe titullin e dhjetë, duke bërë një dekadë të dominimit të plotë të klubit bavaraz në futbollin e Gjermanisë.