Çaji jeshil është një nga pijet më të njohura që konsumohen në të gjithë botën dhe nuk është e vështirë të kuptosh pse.
Ai ofron një përzierje unike të stimulimit dhe relaksimit, me një shije të lehtë bimore dhe është gjithnjë e më i njohur për përfitimet shëndetësore.
Ekzistojnë lloje të ndryshme të çajit jeshil që kanë origjinë nga pjesë të ndryshme të botës, të korrur në faza të ndryshme të rritjes dhe të përpunuar me teknika të ndryshme.
Një lloj i veçantë i çajit jeshil në formë pluhuri, që vjen nga Japonia i njohur si çaji matcha, ka fituar shumë popullaritet kohët e fundit.
Çaji matcha vjen nga e njëjta bimë si të gjithë çajret e tjerë të gjelbër, por ka disa ndryshime në mënyrën e rritjes dhe prodhimit të tij.
AgroWeb.org në këtë artikull, ju sjell një vështrim nga afër të ndryshimeve midis çajit matcha dhe çajit jeshil. Duke përfshirë këtu origjinën e tyre, përfitimet shëndetësore dhe profilin e lëndëve ushqyese.
Çaji jeshil dhe përfitimet shëndetësore
Çaji jeshil bëhet nga gjethet dhe sythat e bimës Camellia Sinensis.
Farat e C. sinensis u sollën për herë të parë në Japoni e më pas në Kinë, në shekullin e 8-të, ku dhe u zhvillua një kulturë e pasur çaji.
Sot ekzistojnë shumë lloje të çajit jeshil, i cili prodhohet kryesisht në Kinë dhe Japoni.
Megjithëse vijnë të gjitha nga e njëjta specie, këto lloje çaji kanë karakteristika unike. Tek to ndikon klima ku janë rritur ose mënyra se si gjethet dhe sythat janë korrur dhe përpunuar.
Kërkimet sugjerojnë se kafeina në çajin jeshil rrit përqendrimin, përmirëson humorin, kohën e reagimit dhe kujtesën.
Çaji jeshil është i pasur me një grup të larmishëm të mikroelementëve bimorë të njohur si polifenole.
Studimet e kryera sugjerojnë se polifenolet mund të sigurojnë një farë mbrojtje nga kanceri, sëmundjet e zemrës, dëmtimi i mëlçisë dhe problemet neurologjike, por ende nuk ka prova të sigurta tek njerëzit.
Gjithashtu polifenoli kryesor që gjendet tek çaji jeshil, epigallocatechin-3-gallate, ka efektet anti-aterosklerozë, anti-diabet dhe anti-inflamator.
Çaji matça dhe përfitimet shëndetësore
Mendohet se çaji matcha mund ta ketë origjinën në Kinë dhe thuhet se u prezantua në Japoni në shekullin e 12-të nga murgu budist Eisai.
Ky çaj u ngulit thellë në kulturën japoneze, duke u përdorur gjerësisht në ceremoninë tradicionale të çajit japonez.
Disa nga faktorët që e dallojnë matçën nga çajret e tjerë të gjelbër janë: mënyra si rritet bima, si përpunohen gjethet dhe si bëhet vetë çaji.
Bima e këtij çaji duhet të rritet në hije të pjesshme, duke bërë që gjethet të prodhojnë më shumë klorofil si përgjigje ndaj niveleve më të ulta të rrezeve të diellit.
Kjo i kthen gjethet në një jeshile më të errët, rrit përqendrimin e disa lëndëve ushqyese dhe ndryshon paksa shijen.
Gjethet e reja zgjidhen me dorë, zihen në avull, thahen dhe bluhen derisa arrijnë formën e pluhurit.
Për të përfituar çajin matcha ky pluhur i hollë dhe i verdhë tundet në ujë.
Kjo përzierje e çajit matcha me ujë, përmban më shumë antioksidantë dhe polifenole se çajret e zakonshëm përfshirë edhe atë jeshil.
Kjo për shkak se jeni duke konsumuar gjethet në formë pluhuri.
Gjithashtu edhe kafeina në çajin matcha është në sasi më të lartë se në çajin jeshil./AgroWeb.org