Ndonëse me shumë telashe, Prishtina synon ta kalojë Ballkanin në Kupë

Situata shumë e rënduar në klubin e futbollit Prishtina nuk do të ndikojë në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Kosovës. Kështu kanë thënë dy prej futbollistëve kryesorë të skuadrës bardhekaltër, kapiteni Gledi Mici dhe mesfushori Endrit Krasniqi.

Të hënën Prishtina mbeti pa trajner të parë dhe pa kryetar. Trajneri Ismet Munishi u shkarkua për shkak të rezultateve të dobëta, ndërsa Hakif Gashi dha dorëheqje nga posti i kryetarit të klubit. Klubi po përballet edhe me vështirësi financiare. Ndaj lojtarëve, zyrtarëve dhe shtetit, Prishtina ka borxh prej 600 mijë eurosh.

Mici e Krasniqi kanë theksuar se synimi i Prishtinës është kalimi në gjysmëfinale të Kupës. Ndeshja çerekfinale mes Prishtinës dhe Ballkanit luhet të mërkurën nga ora 13:00 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

Prishtina po i luan së fundmi ndeshjet në Lipjan për shkak të ruajtjes së fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjet kualifikuese për “Euro 2024”.

“Është ndeshja më vendimtare e sezonit për ne, por dhe më e vështira pasi dihet forca dhe kualiteti i Ballkanit. Gjej rastin të falënderoj trajnerin publikisht për punën, mbështetjen dhe çdo gjë që ka dhënë për ne si lojtarë dhe klubin. Ne jemi profesionistë dhe si të tillë duhet të sillemi, pavarësisht ngjarjeve që ndodhin në klub. Fokusi ynë është kualifikimi”, ka thënë Gledi Mici të martën për KOHËN.

Edhe Krasniqi thotë se ndeshja ndaj Ballkanit është shumë e rëndësishme.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pas disa vështirësive që po kalojmë. Por, mendoj që është momenti i duhur për të reaguar dhe për të kaluar tutje”, është shprehur Krasniqi.

Prishtina e Ballkani janë përballur tri herë në edicionin aktual. Dy ndeshje kanë përfunduar baras dhe një fitore e ka shënuar Ballkani.

Kampioni aktual, Ballkani, është në vendin e dytë në Superligë me 50 pikë, një më pak se liderja, Drita. Prishtina zë vendin e katërt me 32 pikë. Prishtinën në fundjavë e mposhti Malisheva dhe kjo disfatë solli shkarkimin e Munishit.

Futbollisti ofenziv i Ballkanit, Meriton Korenica, kërkon fitore kundër ish-skuadrës, Prishtinës. Ai insiston se Ballkani ka forcë për ta fituar ndeshjen.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Edhe pse ndeshjet janë shumë afër, ne do të përgatitemi dhe ta japim maksimumin për të kaluar tutje. Jemi të motivuar dhe shpresojmë të kalojmë tutje. Na intereson vetëm vetvetja, kështu që do të fokusohemi tek ekipi ynë për ta bërë më të mirën dhe të kalojmë tutje”, ka thënë Korenica.

Të mërkurën luhen edhe tri ndeshje të tjera çerekfinale.

Trepça ’89 do ta pret në Mitrovicë skuadrën e Gjilanit. Llapi e pret Malishevën, ndërsa Vushtrria është nikoqire e Beharit.