Bananet janë fruta më e popullarizuar në Shtetet e Bashkuara dhe anembanë botës. Hulumtimet e fundit tregojnë se, mesatarisht, një person i konsumon më shumë se 5 kilogram banane në vit. Ky është një lajm i mirë pasi kjo frutë ofron përfitime të shumta shëndetësore, raporton portali “Eat This, Not That”.
Këtu janë disa informata bazike për bananet që zbulojnë se çfarë vitamina apo vlera ushqyese i përmbajnë dhe si ndikojnë në shëndetin tuaj të përgjithshëm.
Janë të pasura me vlera ushqyese
Ndërsa manaferrat dhe agrumet shpesh veçohen si frutat me më së shumti vlera ushqyese, edhe banania mund të hyjë lirisht në këtë liste. Një banane mesatare i përmban 110 kalori, 30 gram karbohidrate dhe 3 gram fibra. Bananet po ashtu janë një burim i shkëlqyer i vitaminës B6, duke e ofruar 25 për qind të dozës së rekomanduar ditore. Ato gjithashtu ofrojnë rreth 10 për qind të dozës së rekomanduar për kalium, vitaminë C dhe mangan. Bananet janë natyrisht pa yndyrë, kolesterol dhe natrium, çka i bënë ato produkte të përkryera për çdo dietë së bashku me ushqime të tjera të shëndetshme. Ato përmbajnë shumë komponime bioaktive duke përfshirë karotenoidet dhe flavonoidet, të cilat dihet se kanë përfitime të panumërta, nga ruajtja e shikimit e deri te zvogëlimi i rrezikut për sëmundjet e zemrës dhe lloje të caktuara të kancerit.
Janë të mira për dietë
Një banane mesatare i përmban 110 kalori, 30 gram karbohidrate dhe 3 gram fibra. Fibrat e bananes ndihmojnë në ngadalësimin e tretjes çka ndihmon në mbajtjen nën kontroll të urisë. Përveç fibrave, bananet përmbajnë niseshte rezistente, një lloj karbohidrati që ofron përfitime shëndetësore për tretjen dhe ndihmon për t’ju mbajtur të ngopur më gjatë. Studime të shumta kanë raportuar se niseshteja rezistente ndihmon në përmirësimin e glukozës në gjak dhe zvogëlon rrezikun për sëmundje kronike.
E përmirësojnë presionin e gjakut
Si një burim i shkëlqyer i kaliumit, një banane mesatare ka 422 miligramë kalium ndërkohë që nuk ka natrium. Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, ngrënia e ushqimeve të pasura me kalium, si bananet, mund të ndihmojë në menaxhimin e presionit të gjakut. Studime të ndryshme tregojnë se ata që ndjekin dieta të pasura me kalium, kanë më pak gjasa të kenë presion të lartë të gjakut dhe janë më pak të rrezikuar nga goditja në tru. Të rriturit kanë nevojë për 4700 miligramë kalium në ditë, kështu që një banane mesatare siguron gati 10 për qind të kërkesës ditore.
Ndikojnë në përmirësimin e disponimit
Bananet ofrojnë lëndë ushqyese që mund t’ju përmirësojnë humorin. Vitamina B6 që kjo frutë e ofron, ndihmon në rritjen e neurotransmetuesve të ndjenjës së mirë, serotonina dhe dopamina. Për më tepër, studime të tjera tregojnë se bananet janë një nga ushqimet e pakta që përmbajnë triptofan, i cili e rrit serotoninën në tru. Një studim i publikuar në gazetën “Psychotherapy and Psychosomatics” lidhi nivelet e ulëta të vitaminës B6 në gjak me një rrezik në rritje për depresion.