Ndikimi negativ i korrupsionit në biznese i njejtë me atë të pandemisë COVID-19

Korrupsioni mbetet një ndër dukuritë negative që pengon veprimtaritë e bizneseve, e rrjedhimisht edhe zhvillimin e mirëfilltë ekonomik që ndikohet fuqishëm nga sektori privat. Në Ditën Ndërkombëtare për Luftimin e Korrupsionit, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e mbështetur nga Programi i USAID për Drejtësi Komerciale prezantoi Studimin mbi Perceptimin e Korrupsionit në vend, i cili ofron një pasqyrë mbi progresin e shënuar përgjatë viteve në luftën kundër kësaj dukurie.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se ky është studimi i tretë me rradhë vjetor për perceptimin mbi korrupsionin nga Oda Amerikane, ndërsa dy vitet e fundit është mbështetur nga Programi i USAID për Drejtësi Komerciale. Zeka theksoi se ky studim përveç se i shërben Odës Amerikane, u shërben edhe partnerëve institucional dhe joinstitucional si dokument udhërrëfyes sa i përket nivelit të perceptimit të korrupsionit brenda komunitetit të sektorit privat, por në të njëjtën kohë edhe nivelit të korrupsionit të ballafaquar nëpër institucione të ndryshme. Ai potencoi se këtë vit, ky studim sjellë edhe dy risi, siç janë përfshirja e vlerësimit të pandemisë COVID-19 në rritjen e korrupsionit, si dhe me fokus të veçantë trajton perceptimin dhe korrupsionin e ballafaquar edhe në marrëdhëniet ndër-biznesore brenda sektorit privat. Tutje, Zeka tha se gjyqësori është hallkë e rëndësishme në zingjirin e luftës kundër korrupsionit, prandaj rritja e besimit në sistemin gjyqësor inkurajon bizneset për raportimin e rasteve të korrupsionit.
Vjosa Shkodra, zëvendësdrejtoreshë e Programit të USAID për Drejtësi Komerciale theksoi se studimet e tilla shërbejnë si burim i rëndësishëm i informacionit. Ndërsa, duke u ndërlidhur me objektivat e projektit të Drejtësisë Komerciale, Shkodra tha se prioritet është zvogëlimi i mundësive për korrupsion si dhe parandalimi i korrupsionit, derisa theksoi se sa i përket mundësive të krijuara për bizneset, sundimi i mirëfilltë i ligjit në vend do të hapte rrugë për integrim të tregjeve edhe me shtetet evropiane, si dhe do të krijonte një klimë më të mirë ekonomike për të gjitha bizneset. Tutje, ajo theksoi se themelimi i Gjykatës Komerciale mund të ndikojë pozitivisht në tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe do të gjenerojë vende të reja të punës dhe do të rris besimin e qytetarëve dhe bizneseve në sistemin gjyqësor. 
Të gjeturat e këtij studimi u prezantuan nga Andina Vllahiu-Kelmendi zyrtare e politikave në Odën Ekonomike Amerikane, si dhe Diar Ramadani, përfaqësues i Programit të USAID për Drejtësi Komerciale, të cilët theksuan se ekziston nevojë për rritjen e ndërgjegjësimit të bizneseve dhe qytetarëve rreth luftimit të korrupsionit, si dhe rreth mënyrave se si mund të reformohet sistemi gjyqësor që ka ndikim direkt në luftën ndaj kësaj dukurie mjaft negative në ekonomi dhe shoqëri.  
Studimi mbi Perceptimin e Korrupsionit u krye përmes një ankete me një pjesëmarrje prej 364 respondentëve përfaqësues të bizneseve nga sektor të ndryshëm në vend, që është një mostër dukshëm më e madhe krahasuar me vitet e mëparshme. Anketa e vitit 2020 tregon se rreth 60% respondentë e shohin pandeminë COVID-19 dhe korrupsionin si dy çështjet kryesore me të cilat po ballafaqohet vendi.  Edhe këtë vit, rreth 42% të të anketuarëve besojnë se krahasuar me pesë vite më parë, korrupsioni në Kosovë është rritur, që është një vlerë përafërsisht e njejtë edhe me studimin e vitit 2019. Gjithashtu, rreth 40% e bizneseve të anketuara besojnë se shpërthimi i pandemisë COVID-19 ka pasur një ndikim në rritjen e niveleve të korrupsionit.
Anketa e vitit 2020 zbulon se Qeveria besohet të jetë institucioni më i korruptuar, pikëpamje kjo e rreth 70% të bizneseve të anketuara, ndjekur nga gjykatat me 57%. Megjithatë, studimi tregon një kontradiktë në mes të nivelit të perceptimit të korrupsionit dhe nivelit të transparencës së institucioneve, meqë afër 60% e respondentëve kanë vlerësuar Qeverinë si institucionin më transparent, ndjekur nga ndërmarrjet publike me 55%, si dhe gjykatat me 50%. Përafërsisht 40% e të anketuarve raportojnë se kanë hasur në korrupsion, që është një rritje prej 20% krahasuar me studimin e vitit 2019. Ndërsa, mbi 45% prej tyre kanë renditur komunat si institucionet parësore ku është hasur korrupsioni, ndjekur nga 35% të cilët kanë vlerësuar Administratën Tatimore të Kosovës.
Për herë të parë, këtë vit anketa ka matur edhe perceptimin e korrupsionit brenda sektorit privat, pra për marëdhëniet dhe transaksionet në mes të bizneseve, rezultatet nga e cila zbulojnë se rreth 70% e të anketuarve besojnë se ka korrupsion në sektorin privat. Rreth 30% prej tyre janë ballafaquar me korrupsionin, ndërsa 40% nuk kanë hasur në ndonjë formë të korrupsionit. Vlen të theksohet se ngjashëm me sektorin publik, ekziston një hendek në mes të korrupsionit të perceptuar dhe atij të ballafaquar.