Policia e Kosovës të shtunën e ka ndaluar një person, i cili dyshohet se ka ndihmuar Faton Hajrizin pas arratisjes së tij nga burgu.
Ky i fundit u ekzekutua nga Policia Serbe pasi vrau një polic serb në Lloznicë, qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën, në orët e para të së enjtes dhe nuk pranoi të dorëzohej.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, teksa është marrë në pyetje nga Prokuroria.
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka kërkuar hetim më të detajuar sa i përket vrasjes së Faton Hajrizit.
Duke e dënuar aktin e vrasjes së policit në detyrë, Ministrja e Drejtësisë në Kosovë tha se hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës.