Ndërtimi i rrugës Prizren – Tetovë, Abdixhiku i reagon Kurtit: Tri vite në qeverisje, nuk keni përmbyllur dot një rrugë në Kosovë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se për tri vite qeverisje nuk kanë përmbyllur asnjë rrugë në vend.

Abdixhiku ka pohuar se Qeveria Kurti ka lënë në harresë qytetet dhe se qytetarët po maltretohen sipas tij çdo ditë, transmeton Telegrafi.

“Po e përmbyllin vitin e tretë në Qeveri, por s’kanë përmbyllur dot një rrugë të vetme në gjithë Kosovën. As atë për Mitrovicë, as atë për Podujevë, as për Pejë, as për Gjilan e as për Gjakovë. Qytete të tëra të lëna në harresë tash e tre vjet! Qytetarë të tërë të maltretuar për çdo ditë. Projekti i vetëm i madh kapital që ndodhë sot në vend është ai i ‘Rrugës A’ në Kryeqytet; aty ku Qeveria qendrore – fatmirësisht – nuk ka asnjë rol”, thotë Abdixhiku në postimin e bërë në Facebook.

Kreu i LDK-së thotë se Qeveria Kurti po vazhdon me premtime për rrugën Prizren-Tetovë, por që nuk kanë bërë asnjë zhvillim infrastrukturor të Kosovës.

“Sot, në vitin e tretë të mandatit, flasin për tunele, Prizren – Tetovë, 200 milionë. Muhabetet s’kushtojnë. Ato megjithatë na shpërfaqen të njëjta sikurse para tre viteve. Njëjtë me të njëjtat premtime dalin dhe sot. Të zënë me organizimin e protestave për mbështetje ndaj vetes – merreni me mend – të fiksuar me diskutime ndaj të shkuarës, të angazhuar në ndarje, sharje e përçarje – pra në thatësi politike – kjo Qeveri nuk ka mundur të bëjnë as edhe një hap të vetëm në zhvillimin infrastrukturor të Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.

Tutje ai ka shtuar se “në programin e ‘Rrugës së Re’ të gjitha projektet kapitale për qytetet e mëdha në vend do të përfundojnë brenda 30 muajve. Aq kohë duhet. Aq kohë do të marrin. Aq kohë do të kenë. Dhe, natyrisht, jo me çmime absurde 12-13 milionëshe për kilometër, edhe më pak me aneks marrëveshje që falnin nga 54 milionë, por me kujdes ndaj parasë publike e pa ngarkesë buxhetore që paralizojnë sektorë të tjerë”.

Ky reagim i Abdixhikut vjen pak ditë pas thirrjes së kryeministrit Albin Kurti për ndërtimin sa më të shpejtë të rrugës Tetovë – Prizren.

“Aksi rrugor tashmë është marrëveshje mes dy qeverive tona, e kemi nënshkruar marrëveshjen me Zoran Zaevin e kemi vazhduar me Kovaçevskin”, u shpreh kryeministri Kurti.

Kurti kishte theksuar se rruga që lidh Prizrenin dhe Tetovën përfshin tunel prej 6.4 kilometrave dhe ka nga 15 kilometra nga Prizreni dhe Tetova që do të kushtojë rreth 200 milionë euro, ndërkaq 3/4 e këtyre mjeteve shkojnë për ndërtimin e tunelit.