Ndërron jetë shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare, raportojnë mediat në Tiranë.

Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër – një qytet i vogël në malet e jugut të Shqipërisë.

Qyteti i tij, për të cilin shkroi romanin “Kronikë në Gur”, bën pjesë në trashëgiminë botërore që mbron UNESCO-ja.

Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, Kadare i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.

“Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, gazeta amerikane Boston Globe e përshkroi si “roman të fuqishëm dhe prekës”.

Ai, gjithashtu, hyri në 100 librat e shekullit të gazetës Le Monde.

Bën fjalë për historinë e një gjenerali italian, i cili shkon në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore për të marrë trupat e ushtarëve italianë.

Kadare është “një nga romancierët më bindës që shkruan në çdo gjuhë”, shkroi Wall Street Journal për të.

Librat e tij tashmë janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës.

Shumë prej tyre kanë qenë të ndaluara në Shqipërinë komuniste – ndër to edhe “Pallati i ëndrrave”, ku Kadare shtjellon marrëdhënien pushtet-individ.

Në një intervistë për gazetën Financial Times në vitin 2010, Kadare tha se është më së shumti krenar për këtë vepër.

“Është shkruar në vitin 1980 dhe është botuar një vit më vonë, gjatë periudhës më të zezë të tiranisë shqiptare. Ishte një libër kundër asaj tiranie”, tha Kadare.

Për vitet e diktaturës shkroi edhe në veprat: “Piramida” e “Koncerti”.

Kadare emigroi në Francë në vitin 1990, pasi bëri deklarata në favor të demokratizimit.

Në vitin 1996 u bë anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale dhe Politike.

Më 1998, kur edhe nisi lufta në Kosovë, Kadare publikoi librin “Tri ditë zie për Kosovën”.

Aty rrëfeu betejën e Kosovës më 1389, në të cilën disa mbretëri ballkanike i kanë bashkuar forcat kundër turqve dhe kanë humbur.

Kadare fitoi disa çmime ndërkombëtare. Në dekadat e fundit jetoi dhe shkroi midis Parisit e Tiranës.

“Në Paris, unë gjithmonë punoj në të njëjtën kafene. Në Tiranë kjo është e pamundur, për shkak të kuriozitetit të njerëzve”, tha Kadare për Financial Times.

Veprat e Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.