Shprehja e shqetësimit nga ana e ambasadës SHBA’së në Kosovë për dinarin serb ka ngjallur reagimin e dy figurave ndërkombëtare, që janë shprehur pro qeverisjes aktuale në Kosovë. Alicia Kearns, kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë, e ka parë si jo-balancuese deklaratën e ambasadës amerikane në Kosovë. Ndërkaq Federica Woelk, asistente në Parlamentin Evropian ka përdorur ironinë për ta kundërshtuar këtë deklaratë.
Përmes një postimi në platformën X, ish-Twitter, Alicia Kearns ka pretenduar se SHBA-të po heshtin për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe se s’kanë reaguar njëjtë në rastin e kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga ana e Serbisë.
“Ku është bilanci? A kemi parë një deklaratë të tillë nga SHBA-të pas rrëmbimit të paligjshëm të 3 policëve (të Kosovës) nga Serbia? Heshtja për sulmin terrorist në Banjska është shurdhuese”, ka shkruar ajo në ‘Twitter’.
Federica Woelk në anën tjetër ka ironizuar me ambasadën amerikane, duke thënë se edhe Kosova është shqetësuar që BE dhe SHHBA s’po e respektojnë sovranitetin e Kosovës.
“Kosova është thellësisht e shqetësuar se ata që ndihmuan në hartimin e Kushtetutës nuk janë në gjendje ta lexojnë dhe ta respektojnë atë. Gjithashtu, Kosova është thellësisht e shqetësuar se as BE dhe as SHBA nuk po e respektojnë sovranitetin e saj”, thuhet në reagimin e Woelk në ‘X’.
Sidoqoftë, ndryshe është shprehur qeveria e shtetit ku shërben Kearns. Britania e Madhe në reagimin e përbashkët të shteteve të QUINT-it ka kërkuar rishqyrtimin e vendimit për rregulloren e re të BQK’së, që largon dinarin krejtësisht si valutë nga tregu kosovar.
“Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, u tha në deklaratë.
“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, u tha tutje në deklaratën e ambasadorëve të QUINT-it, para hyrjes së rregullores në fuqi.
Ambasada e SHBA-së të akuzoi të shtunën qeverinë e Kosovës që me veprimet e tyre të fundit po nxisin tensione etnike në vend të cilat sipas tij po kufizojnë mbështetjen e Shtetet e Bashkuara për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, u tha në reagimin e tyre.
“Jemi të shqetësuar edhe nga veprimet e policisë së Kosovës sot për sekuestrimin e dinarëve serb dhe veturës që transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë”, vijoi reagimi.