Ndalohen katër çekë pranë uzinës së Poliçanit


Katër persona me shtetësi çeke janë ndaluar në Shqipëri, pasi janë parë duke lëvizur pranë Uzinës së Poliçanit, i cili është impiant ushtarak, ka njoftuar të dielën Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.

Sipas njoftimit të ministrisë, katër çekët janë ndaluar rreth orës 12:30, ndërsa ata kanë parë duke lëvizur te një nga tunelet e Uzinës së Poliçanit gjatë orëve të mëngjesit.

“Rreth orës 08:40 të mëngjesit të sotëm, te një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar. Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuajse të gjithë komunikues me njëri-tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke. Rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase te kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm. Personat e mësipërm janë ndaluar dhe aktualisht vazhdojnë procedurat nga autoritetet e sigurisë në vend”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, shkroi “A2CNN”.