Ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, nuk është liruar me kusht nga burgu në Hagë si ish-kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati.
Në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës thuhet se vendimi do të merret pasi të shqyrtohet raporti në lidhje me sjelljen e tij gjatë mbajtjes në objektin e paraburgimit.
Më 12 tetor 2023, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi se ajo do të shqyrtojë modifikimin e vendimit të z. Nasim Haradinaj për lirimin e tij me disa kushte pasi të marrë raport prej Administratores Fidelma Donlon në lidhje me sjelljen e z. Haradinaj gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së”.
“Për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe mbajti seancë me z. Haradinaj”, thuhet në komunikatën për media.
Kryetarja bëhet e ditur se ka marrë parasysh se megjithëse veprat penale për të cilat Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që mund të peshojnë në favor të modifikimit të dënimit të tij.
“Kryetarja gjithashtu vuri në dukje shprehjet e keqardhjes prej z. Haradinaj gjatë seancës gojore dhe zotimit të tij për moskryerjen e veprimeve të tjera që mund të karakterizohen si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”, thuhet tutje.
“Sidoqoftë Kryetarja theksoi se z. Haradinaj ka precedentë disiplinorë në Njësinë e Paraburgimit (NJP). Rrjedhimisht Kryetarja gjykoi se megjithëse z. Haradinaj ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ka ende vend për përmirësim. Për këtë arsye Kryetarja urdhëroi Administratoren që të paraqesë raport në lidhje me sjelljen e Haradinajt në NJP në të ardhmen brenda një periudhe të caktuar në kontekst të vendimit mbi modifikimin e dënimit të tij”.
Vendimi i Kryetares mund të lexohet këtu në faqen e DHSK-së në internet.
“Procedura për ulje, modifikim ose ndryshim të vendimit sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit është procedurë individuale. Kur personi I dënuar ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo plotëson kriterin për shqyrtim për ulje, modifikim ose ndryshim të dënimit, por nuk ka të drejtë që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet”.