Nasim Haradinaj do të paraqitet para Dhomave të Specializuara të martën, në orën 15:00.
Njoftimi është dhënë nga ky institucion. Paraqitja e parë e Haradinajt bëhet pas konfirmimit të aktakuzës kundër tij, njoftoi Gjykata.
Ai akuzohet për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020 z. Haradinaj zbuloi pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të tjera, të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Gjithashtu ai bëri akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehu synimin e tij për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e Speciales.