Nagip Krasniqit i vazhdohet edhe për dy muaj masa e paraburgimit

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për vazhdim të masës së paraburgimit ndaj Nagip Krasniqit edhe për dy muaj, i cili dyshohet për korrupsion në cilësin e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja për informimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë Milinda Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit N.K, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.K, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj.”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Ndryshe, Krasniqi është arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.

Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”.

Ndërsa, më 20 prill, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), paraqiti kërkesë në Themelore, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia kishte caktuar drejtorit të KEK-ut një muaj paraburgim.

Kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, kishte ushtruar ankesë mbrojtja e Krasniqit, me propozim që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën si të bazuar dhe ta lirojë të pandehurin nga paraburgimi duke i caktuar një masë më të butë.

Ndërsa, më 8 maj 2023, Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Nagip Krasniqit, duke e lënë të njëjtin nën masën e paraburgimit, me arsyetimin se mund të ndikojë në dëshmitarë.

Po ashtu, kërkesë për lirimin e Krasniqit nga masa paraburgimit, mbrojtja kishte ushtruar edhe në Supreme, mirëpo edhe shkalla e tretë e kishte refuzuar.

Ndryshe, Nagip Krasniqi më 25 prill 2023 është pezulluar nga detyra e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut. /BetimipërDrejtësi/