Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se kanë liruar nga detyra e Kryeshefit Ekezkutiv, Nagip Krasniqin.
“Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a. duke qenë i përkushtuar për qeverisjen e korporatës në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat që rrjedhin nga Ligji për Ndërmarrjet Publike, si dhe parimet e njohura ndërkombëtare për qeverisjen korporative të ndërmarrjeve publike, në mbledhjen e mbajtur dje me datë: 23.04.2024 ka marrë dy vendime të rëndësishme të cilat kontribuojnë në menaxhimin korporatës. Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a. ka marrë vendim për të liruar nga detyra tashmë ish Kryeshefin Ekzekutiv, z. Nagip Krasniqi”, thuhet në njoftim.
Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a. po ashtu ka vendosur që në ditët në vijim të iniciohen e procedurat për shpalljen publike (konkursin) për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të ri të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Ndryshe, Krasniqi ishte arrestuar nga Prokuroria Speciale më 19 prill 2023. Sipas Prokurorisë, i njëjti dyshohej se kishte kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Ndërkohë, më 25 prill Bordi i KEK-ut e kishte pezulluar nga detyra e kryeshefit të kësaj korporate.