Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas dhunës fizike që dyshohet se është ushtruar ndaj një 3-vjeçari në një çerdhe në Fushë-Kosovë.
Ajo ka thënë se është thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara, derisa ka paralajmëruar se do të ketë masa ndaj institucionit dhe edukatoreve.
“E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor. Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, “ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar”.
Ka shtuar se Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojnë raportin, do të ndërmarrin masa të menjëhershme.
“MASHTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”, ka thënë ajo.
Një 3-vjeçar dyshohet se është rrahur nga edukatoret në një çerdhe publike në Fushë-Kosovë.
Rasti është raportuar nga një familjar, i cili në Facebook ka postuar fotografi dhe video të nxjerra nga kamerat e vendosura brenda çerdhes.