Nagavci, Hotit: Ju barazuat të pagjeturit me të zhvendosurit

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka folur nga kjo ulëse mirëpo në emër të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me çështjen e të pagjeturve.

“Dy dekada pas çlirimit e 12 vjet pas pavarësisë, familjet e të pagjeturve ende i kanë plagët e hapura. Ata e meritojnë të dinë të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre”, ka thënë Nagavci.

“Të pagjeturit duhet të pushojnë në tokën e Kosovës, dhe populli i Kosovës meriton drejtësi”.

Nagavci ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera në Kosovë, dhe se e ka detyrim ligjor ndërkombëtar ta bëjë një gjë të tillë.

Sidoqoftë, Nagavci e ka akuzuar qeverinë Hoti se në marrëveshjen e 4 shtatorit e kanë barazuar çështjen e të pagjeturve shqiptarë me atë të të zhvendosurve serbë, duke i lejuar Serbisë që të largohet nga përgjegjësia mbi të pagjeturit, si dhe duke i krijuar hapësirë për kolonizim.

“Përkundrazi, ndërkohë që qeveria e Kosovës dhe ju zotëri Hoti padrejtësisht i keni barazuar të zhdukurit dhe viktimat e gjenocidit që Serbia ia kryer në popullin tonë me të zhvendosurit”.

“Sepse asgjë nuk mund të barazohet me çështjen e të pagjeuruve dhe asgjë nuk mund të kushtëzohet me zbardhjen e fatit të tyre”.