Nagavci: Buxheti për arsim do të duhej të rritej

Propozuesja e Interpelancës, deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë që përfundimi i vitit të kaluar shkollor, institucionet kanë pasur mundësi që të përgatiten për vitin e ri shkollor.

“Ndonëse ishte njoftuar se viti shkollor do të niste me kohë, ai nisi me dy javë vonesë dhe atë në dy faza dhe me kthim të pjesshëm dhe jo për të gjithë fëmijët në shkolla”, ka theksuar Nagavci.

Sipas saj buxheti për arsimin do të duhej të rritej duke marrë parasysh faktin se mësimi nuk zhvillohet si zakonisht.

“Akoma edhe sot jemi dëshmitar që në një pjesë shumë të madhe të shkollave vazhdojnë të mungojnë edhe kushtet elementare sanitare, higjienike, madje ka shkolla që nuk kanë as ujë të pijshëm. Ka edhe shkolla me numër të madh të nxënësve, raportohet se ka tollovi në oborr të shkollës, një numër të madh të nxënësve që nuk kanë mundësi të respektojnë distancën dhe madje edhe klasa ku janë dy nxënës në një bankë”, është shprehur Nagavci.

Ajo ka kërkuar që bashkë me grupet e tjera parlamentare në fund të interepelancës të dakordohen për votimin e një mocioni të përbashkët lidhur me problemet e ngritura.