Naftëtarët: Çmimet e naftës në Kosovë më të lirat në rajon pas Maqedonisë së Veriut, vendimi për marzhën e fitimit i panevojshëm

Vendimi për vendosjen e çmimeve tavan për naftë dhe benzinë nga ana e Qeverisë së Kosovës, po konsiderohet si i panevojshëm nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës.

Kështu është shprehur për Telegrafin, kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani.

Ai deklaroi se çmimet e derivateve në Kosovë janë më të lirat në rajon, pas Maqedonisë së Veriut.

“Çmimi i naftës aktual në pikat e karburantit sillet afërsisht 1.36-1.40 cent, kurse benzina 1.40-1.42 cent. Në tregun e naftës në Kosovë çmimet janë më të lirat në regjion përveç Maqedonisë së Veriut, e cila e ka akcizën më të ulët për 20 cent. Qytetarët tanë janë duke u shërbyer për momentin më lirë se Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnja, pra më lirë se të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë Berjani.

Ai shtoi se ka rritje të çmimit të naftës në tërë globin, dhe se kjo po ndikon edhe në Kosovë.

“Ky vendim nuk ka qenë i nevojshëm me u vendos, është duke u respektuar por nuk ka pasur ndikim në uljen e çmimit sepse çmimet po rriten çdo ditë në BERZA, jo vetëm tek ne por në tërë globin është trend në rritje dhe këtë nuk mund ta ndalë as Qeveria e Kosovës e as Shoqata e Naftëtarëve”, tha Berjani.

Ai theksoi se Kuvendi i Shoqatës së Naftëtarëve ka propozuar që vendimi që është lëshuar nga Ministria të dërgohet në Gjykatë.

“Ministria nëse ka pasur abuzime me çmime ose keqpërdorime është dashur të merret me ato kompani të cilat kanë abuzuar me çmime, e jo të lëshohet ky vendim t’i dëmtoj bizneset që po punojnë në shërbim të qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi në pritje që të marrim përgjigje për kërkesën që kemi dorëzu tek ministrja, dhe nëse nuk pranojmë përgjigje sipas afatit do ta dërgojmë në Gjykatë”, tha Berjani.

Reklama

Ministria e Tregtisë ka kthyer masën e kufizimit të fitimit për naftëtarët, pas evidentimit se rritja e çmimeve nga ana e tyre nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror. Më 28 korrik kjo ministri me anë të një vendimi ka caktuar marzhën e fitimit prej 2 centësh për litër në shitjen me shumicë dhe 12 centë për litër në ato me pakicë.