Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për mandatarin për kryeministër.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re.
Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.
“Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon”, ka thënë Mustafa.
“LDK gjthëherë ka respektuar vendimet e kësaj Gjykate dhe kemi kontribuar që ky institucion të jetë i pavarur dhe ta gëzojë besimin e plotë”, është shprehur ai në Facebook.
“Janë këto personalitete që mbajnë peshën e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë të ri”, ka shtuar Mustafa.
“Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen”, ka thënë Mustafa.
Kreu i LDK’së ka shtuar se “i takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese”.
Sipas tij, “vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë . Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë”.